Dieta që ndihmon për ADHD: Çfarë rekomandon një dietologe për fokus, energji dhe shëndet më të mirë?
Personat me çrregullimin e mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD) shpesh përballen me vështirësi në ruajtjen e përqendrimit për periudha të gjata, me nivele të paqëndrueshme energjie dhe ankth të vazhdueshëm.
Një nga mënyrat që mund të ndihmojë në menaxhimin e këtyre sfidave është përmirësimi i dietës dhe përzgjedhja e ushqimeve që mbështesin shëndetin e trurit, rrisin energjinë dhe ndihmojnë në rregullimin emocional, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Dietologia e kardiologjisë Michelle Routhenstein shpjegon se edhe pse ADHD shfaqet ndryshe te çdo individ, disa karakteristika janë të zakonshme: vështirësi në fokus, ankth i përsëritur dhe lodhje.
Përveç medikamenteve dhe terapisë, ndryshimet në stilin e jetesës sidomos në ushqim janë ndër më të lehtat për t’u zbatuar dhe mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv.
Sipas saj, dietat kufizuese si dieta ketogjenike shpesh promovohen si zgjidhje për ADHD, por aktualisht mungojnë prova klinike që e mbështesin këtë.
Një arsye kryesore është rëndësia e stabilitetit të sheqerit në gjak.
Truri i personave me ADHD është më i ndjeshëm ndaj luhatjeve të glukozës, të cilat mund të shkaktojnë nervozizëm, lodhje, “mjegullim” mendor dhe rritje të ankthit.
Edhe pse një dietë me pak karbohidrate mund të duket si zgjidhje, energjia e qëndrueshme kërkon një ekuilibër të duhur midis karbohidrateve, proteinave, fibrave dhe yndyrnave të shëndetshme.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rreziku i fshehur për shëndetin e zemrës.
Studimet tregojnë se të rriturit me ADHD kanë një rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare – deri në 1.7 deri në 2 herë më shumë se ata pa këtë çrregullim. Për këtë arsye, dietologia paralajmëron se dieta keto mund ta rrisë edhe më tej këtë rrezik dhe nuk rekomandohet.
Në vend të saj, një model ushqimor i tipit mesdhetar, i pasur me produkte bimore dhe lëndë ushqyese, konsiderohet zgjedhja më e mirë.
Konsumi i perimeve të freskëta, frutave, drithërave të plota, bishtajoreve, arrave, farave dhe peshkut të yndyrshëm lidhet me përmirësim të funksioneve të trurit, më shumë energji dhe ndjenjë më të gjatë ngopjeje.
Ndërkohë, rekomandohet shmangia e ushqimeve shumë të përpunuara, produkteve me sheqer të shtuar dhe karbohidrateve të rafinuara si buka e bardhë dhe ëmbëlsirat industriale, të cilat lidhen me përkeqësim të performancës njohëse dhe rritje të rrezikut për probleme shëndetësore. /Gazeta Shneta