Shumë mite dhe fjalë janë thënë e publikuar për Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Por të paktë janë ata që i dinë mirë faktet rreth tij. Gazeta Metro, është kujdesur dhe ka biseduar me të afërmit e Rugovës, këshilltarë të tij, shokë të klasës fillore e të studimeve, për të sjellë fakte interesante që nuk dihen publikisht.
Ibrahim Rugova ishte shkrimtar, filozof e intelektual. Është një nga themeluesit e Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pa të cilin historia moderne e Kosovës nuk do të mund të shkruhet, pa e përmendur. Gazeta Metro ju sjell 10 fakte interesante për Rugovën, jetën dhe shijet e tij, që nuk i keni ditur deri tash.
1. Rugova ishte 9 vjeç, dhe jo 6 kur u regjistrua në klasë të parë të shkollës fillore. Ai ishte më i vjetri nga nxënësit e klasës për faktin se familja e vonoi të regjistrohet se nuk i kishte kushtet dhe mundësitë finaciare. Kjo i ndodhi pasi që babain dhe gjyshin e tij, e kishin pushkatuar partizanët komunistë, për një ditë, në afërsi të Istogut. Dhe nga prindërit, të gjallë e kishte vetëm nënën.
2. Rugova, nuk kishte pasion për pronën dhe botën materiale. Po ashtu edhe nga familja fillimisht nuk i trashëgoi hise. Pasi që ja vranë babën dhe gjyshin Presidenti Rugova është rritur fillimisht me mixhën e tij, deri sa fitoi bursën dhe një punë mësuesi për t’u shpërngulur në Prishtinë.
3. Ibrahim Rugova ishte edhe mësues. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme normale, ai punoi si mësues në shkollën fillore të Obiliqit, tash Kastriotit, që pas çlirimit kjo shkollë është riemëruar dhe mban emrin e tij, konfirmon Gazeta Metro. Ai kishte lindur më 2 dhjetor 1944, ditë kur edhe fëmijët e kësaj shkolle e festojnë ditëlindjen e tij, si ditë shkolle.