Forcohen lidhjet ekonomike dhe kulturore të Kosovës me Izmirin
Në Izmir po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të organizimit “Ditët e Kosovës”. Në këtë organizim, që synon forcimin e lidhjeve historike, kulturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Izmirit të Turqisë, në fokus ishin mundësitë e bashkëpunimit dhe partneritetet strategjike ndërmjet dy vendeve.
Hapja e aktivitetit, i cili filloi më 20 nëntor, u bë në praninë e kryetarit të Komunës së Izmirit, Cemil Tugay, ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, guvernatorit të Izmirit, Süleyman Elban, si dhe shumë të ftuarve të tjerë. Në këtë organizim morën pjesë edhe kryetarë dhe përfaqësues të komunave të ndryshme të Kosovës.
Në kuadër të aktivitetit u mbajt edhe Forumi i Biznesit Izmir-Kosovë, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim tregtar dhe investime ndërmjet dy palëve.
Duke folur në këtë aktivitet, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi rëndësinë e madhe që ka Turqia për Kosovën, duke thënë se Turqia është një nga vendet që kontribuon më së shumti për vendin tonë.
Sveçla theksoi se Turqia e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë avancuar edhe më tej përmes bashkëpunimeve strategjike.