Universiteti Veror i Prishtinës, urë akademike mes kulturave dhe gjuhëve
Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës po vazhdon të mbetet një nga platformat më të rëndësishme akademike që bashkon studentë, profesorë dhe studiues nga vende të ndryshme të botës.
Përmes ligjëratave, kurseve dhe diskutimeve akademike, ky program synon jo vetëm shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, por edhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e Kosovës si qendër universitare dhe njohjen më të thellë të historisë, kulturës dhe shoqërisë së vendit.
Në edicionin e 26-të të këtij aktiviteti akademik, pjesëmarrësit po ndjekin kurse nga fusha të ndryshme, ndërsa një prej tyre është edhe “Arti i përkthimit letrar”, i zhvilluar nga profesoresha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, PhD Suzan Vuljevic nga programi i Diversitetit në Studimet Shqiptare dhe të Evropës Juglindore në Universitetin DePaul në Çikago, së bashku me profesoreshën e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Hasanaj Pllana.
Profesoresha Vuljevic e vlerësoi si një pasuri të madhe rikthimin në Universitetin e Prishtinës dhe mundësinë për të bashkëpunuar me kolegë e studentë shqiptarë.
“Për mua është një pasuri e madhe. Është hera e dytë që vij në lidhje me UP-në. Kësaj here kam pasur idenë të hap një kurs të lidhur me artin e përkthimit letrar, ku synojmë ta zgjerojmë kuptimin e përkthimit si një mjeshtëri të thellë që kërkon njohjen e kontekstit, strukturës së gjuhës, arkitekturës, tonit dhe regjistrit të tekstit”, tha Vuljevi.
Sipas saj, përkthimi letrar nuk është thjesht zëvendësim i fjalëve nga një gjuhë në tjetrën, por një proces krijues që kërkon kuptim të thellë të kulturës dhe synimit të autorit.
“Përkthimi fjalë për fjalë nuk funksionon gjithmonë. Përkthyesi duhet ta përshtatë tekstin me gjuhën dhe kulturën tjetër, duke ruajtur kuptimin dhe emocionin e veprës”, u shpreh ajo.
Edhe profesoresha e UP-së, Mimoza Hasanaj Pllana, tha se edicioni i sivjetmë i Universitetit Veror është karakterizuar nga një interesim i madh i studentëve dhe një energji e veçantë akademike.
“Fakulteti i Filologjisë këtë vit përfaqësohet me tri kurse: arti i përkthimit letrar, një kurs i mediave dhe një kurs nga gjermanistika. Është shumë pozitive të shohim këtë dinamizëm, numrin e madh të studentëve dhe interesimin e tyre”, tha Pllana.
Ajo theksoi se kursi për përkthimin letrar është konceptuar në atë mënyrë që të ndërthurë teorinë me praktikën.
“Unë trajtoj pjesën teorike të përkthimit, ndërsa Suzana sjell përvojën praktike si përkthyese. Studentët kanë mundësi të kuptojnë se si teoritë e përkthimit zbatohen në praktikë”, tha ajo.
Në këtë kurs marrin pjesë studentë nga vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Turqinë dhe Kosovën. Ligjërueset vlerësojnë se interesimi i studentëve të huaj për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare është në rritje.
“Shumë prej tyre janë të lidhur me historinë e Ballkanit dhe me çështjen shqiptare. Gjuha shqipe është një gjuhë shumë e veçantë në këtë rajon dhe kjo zgjon interesim”, tha Vuljevic.
Sipas dy profesoreshave, përkthyesi letrar ka një rol të rëndësishëm në promovimin e një kulture jashtë kufijve të saj, pasi shpesh konsiderohet si “autori i dytë” i një vepre.
“Përkthyesi është një ndërmjetësues kulturor. Ai duhet të njohë jo vetëm gjuhën, por edhe tregun letrar, botuesit dhe mënyrën se si një vepër mund t’i prezantohet një publiku të ri”, u shpreh Vuljevic.
Gjatë kësaj interviste u diskutua edhe ndikimi i inteligjencës artificiale në fushën e përkthimit.
Sipas profesoreshës Vuljevic, teknologjia mund të ndihmojë në fazat fillestare, por nuk mund ta zëvendësojë punën krijuese të përkthyesit.
“Përkthimi letrar është art. Edhe kur përdoret inteligjenca artificiale për një version fillestar, përkthyesi duhet ta kontrollojë, ta përpunojë dhe t’i japë tekstin atë rafinim që kërkon një vepër letrare”, tha ajo.
Profesoresha Pllana vlerësoi se vitet e fundit është rritur interesimi për letërsinë shqipe në gjuhët e huaja.
“Ka universitete në Evropë ku studiohet ballkanistika dhe gjuha shqipe, ndërsa studentët përfshihen edhe në përkthimin e letërsisë shqiptare. Kjo tregon një vlerësim më të madh për kulturën dhe letërsinë tonë”, tha ajo.
Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës vazhdon kështu të shërbejë si një hapësirë ku ndërthuren dijet, kulturat dhe përvojat akademike nga e gjithë bota, duke forcuar rolin e Kosovës në rrjetin ndërkombëtar të arsimit të lartë. /rtk