Hapet Panairi i Librit, Haxhiu: Duhet të flasim për vendin që libri s’po e zë në jetën tonë të përditshme
Foto: Laura Hasani

Hapet Panairi i Librit, Haxhiu: Duhet të flasim për vendin që libri s’po e zë në jetën tonë të përditshme

Kultura June 17, 2026 - 13:32

Është hapur të mërkurën Panairi i Librit në Prishtinë, i cili do të qëndrojë i hapur për vizitorët deri më 21 qershor, duke mbledhur botues, autorë dhe dashamirë të librit nga Kosova dhe rajoni.

Image

Në ceremoninë e hapjes, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu tha se organizimi i panairit ka rëndësi të veçantë për promovimin e kulturës së leximit, por theksoi se duhet të diskutohet edhe për sfidat me të cilat përballet libri në shoqëri.

Image

“Kjo punë ka rëndësi të veçantë. Sepse çdo vend që e vendos librin në hapësirën publike, qoftë edhe për disa ditë, mban gjallë një pjesë të fjalës së shkruar. Por mirënjohja për këtë punë të madhe nuk na liron nga përgjegjësia për ta parë gjendjen në sy. Duhet të flasim edhe për vendin që libri nuk po e zë në jetën tonë të përditshme”, tha ajo.

Image

Duke folur për rëndësinë e leximit, Haxhiu tha se ai është një nga mënyrat themelore për të kuptuar botën, shoqërinë dhe të drejtat qytetare.

Image

“Leximi është një nga mënyrat e para si njeriu mëson të kuptojë botën dhe veten. Një fëmijë që lexon me vëmendje, mëson ta ndjekë mendimin deri në fund dhe ta dallojë të vërtetën. Mëson të bëjë pyetje, të krahasojë, të mos ngutet për përfundim. Mëson se jo çdo fjalë që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon e kupton më mirë lajmin, e kupton më mirë ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet. Ai apo ajo ka më shumë mundësi të mendojë me kokën e vet, të kuptojë atë që i thuhet dhe të mos mbetet i varur nga të tjerët. Leximi po përballet me rënien e vëmendjes nga shpërqendrimi i ekranit e me një ritëm jete që të gjithë ne pa përjashtim po përjetojmë. Por fakti që kjo po ndodh edhe diku tjetër, nuk e bën çështjen më pak të rëndësishme për ne. Përkundrazi. Na tregon se duhet të veprojmë me forcë, por edhe me mençuri. Jo duke e fajësuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar se leximi kërkon ndërgjegjësi të përbashkët, por po ashtu edhe punë të koordinuar”, tha ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se leximi ndikon drejtpërdrejt në forcimin e institucioneve, demokracisë dhe zhvillimit të shoqërisë.

Image

“Një popull që lexon ndërton institucione më të forta, shtete më stabile dhe shoqëri më të drejta. Ai e kupton se demokracia nuk mbrohet vetëm me ligje, por me vetëdije. Një popull që lexon e mbron historinë e tij, sepse e njeh atë. Nuk lejon që ajo të shtrembërohet, të harrohet apo të shkruhet nga të tjerët. Ai e kupton se identiteti dhe kujtesa e përbashkët janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja. Por mbi të gjitha, një popull që lexon zhvillon sensin e progresit e zhvillimit. Ai nuk ka frikë nga idetë e reja dhe nuk e sheh dijen si privilegj, por si të drejtë dhe përgjegjësi. Prandaj, çdo libër i blerë sot nuk është vetëm një investim për një individ, por një investim për një shoqëri më të lirë, më të arsimuar dhe më të fortë”, tha ai.

Image

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, kërkoi mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën kulturore dhe organizimin e panaireve.

Image

“Mësimet e para fillojnë në familje, por kur institucionet e vendit i japin vëmendjen e duhur librit dhe kulturës, mesazhi që përçohet është i qartë: libri është i pazëvendësueshëm në proceset zhvillimore të shoqërisë. E meqenëse sot kemi në mesin tonë edhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve, po e shfrytëzoj rastin të bëj një kërkesë publike, ndoshta politike por thellësisht kulturore të ndërtojmë, për Prishtinën dhe Kosovën, një ambient më të denjë për organizimin e panaireve, ekspozitave dhe ngjarjeve të tjera kulturore dhe artistike. Potenciali krijues i këtij vendi është shumë më i madh sesa hapësira që kemi në dispozicion. Prandaj lutja ime e sinqertë, për ata që e kanë mundësinë ta bëjnë këtë prioritet, është që t’i japim Kosovës një qendër moderne për kulturën dhe panairet. Jam i bindur që përfitimet që i sjell shoqërisë janë shumëfish më të mëdha sesa secili investim tjetër”, tha ai. /eo

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image