Hapet edicioni i katërt i ekspozitës së skulpturës “SkulptFer 2026” në Ferizaj

Hapet edicioni i katërt i ekspozitës së skulpturës “SkulptFer 2026” në Ferizaj

Kultura May 23, 2026 - 16:45

Galeria e Arteve në Ferizaj ka shpallur hapjen e edicionit të katërt të ekspozitës së skulpturës “SkulptFer 2026”, e cila do të mirëpresë artistë nga Kosova dhe shtetet e tjera.

Sipas njoftimit, në ekspozitë kanë të drejtë pjesëmarrjeje të gjithë artistët, ndërsa punimet mund të realizohen në mediume të ndryshme, përfshirë skulpturën klasike (realizëm), moderne (abstrakte) dhe bashkëkohore (instalacion). Punimet nuk duhet të kenë qenë të ekspozuara më parë në Galerinë e Arteve në Ferizaj dhe nuk duhet t’i tejkalojnë përmasat 150x150x150 cm.

Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike, ku artistët mund të konkurrojnë me më shumë se një punim duke dërguar fotografi nga katër kënde, së bashku me të dhënat përkatëse si emri i autorit, titulli, teknika, dimensionet dhe viti i realizimit.

Pas fazës së aplikimit, veprat do t’i nënshtrohen vlerësimit nga një juri profesionale, e cila do të bëjë përzgjedhjen e punimeve që do të ekspozohen fizikisht në Galerinë e Arteve në Ferizaj. Vetëm artistët e përzgjedhur do të kontaktohen, ndërsa shpenzimet e transportit të veprave do të mbulohen nga vetë pjesëmarrësit.

Në përmbyllje të ekspozitës do të ndahen dy çmime: “Skulpt-Fer I” dhe “Skulpt-Fer II”, të vlerësuara nga juria profesionale.

Afati i aplikimit është nga 21 maji deri më 5 qershor 2026, ndërsa tërheqja e punimeve do të bëhet dy javë pas mbylljes së ekspozitës.

Ekspozita mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj./KultPlus