Baleti Kombëtar i Kosovës hap turneun në Kolumbi

Baleti Kombëtar i Kosovës hap turneun në Kolumbi

Kultura May 15, 2026 - 20:48

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës ka bërë të ditur se Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur turneun e tij në Kolumbi me prezantimin e veprës “Carmina Burana”, me koreografi nga Toni Candeloro, në Teatro Pablo Tobón Uribe në Medellín.

Para fillimit të shfaqjes, fjalë rasti mbajtën ambasadori i Republikës së Kosovës në Kolumbi, Artan Duraku, si dhe drejtori i përgjithshëm i teatrit, Juan Carlos Sánchez Restrepo, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve kulturore ndërkombëtare dhe promovimit të artit kosovar.

Sipas njoftimit, publiku kolumbian ka mbushur sallën e teatrit dhe ka mirëpritur performancën me duartrokitje të gjata dhe entuziazëm të madh, duke krijuar atmosferë të veçantë gjatë gjithë mbrëmjes.

Turneu i Baletit Kombëtar të Kosovës në Kolumbi do të vazhdojë me shfaqje në qytetet Cali dhe Bogotá.