Baleti Kombëtar i Kosovës nis turneun në Kolumbi me “Carmina Burana”
Baleti Kombëtar i Kosovës ka hapur turneun artistik në Kolumbi me prezantimin e shfaqjes “Carmina Burana” në Teatro Pablo Tobón Uribe në Medellín.
Shfaqja, e realizuar me koreografi nga Toni Candeloro, u mirëprit nga publiku kolumbian, i cili mbushi sallën e teatrit dhe e përcolli performancën me duartrokitje të gjata dhe entuziazëm të madh.
Para fillimit të shfaqjes, fjalë rasti mbajtën Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kolumbi, Artan Duraku, si dhe drejtori i përgjithshëm i teatrit, Juan Carlos Sánchez Restrepo.
Në adresimet e tyre u theksua rëndësia e bashkëpunimeve kulturore ndërkombëtare dhe promovimit të artit dhe kulturës së Kosovës para publikut kolumbian.
Pas prezantimit në Medellín, turneu i Baletit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me shfaqje edhe në qytetet Cali dhe Bogotá. /KultPlus