Në Bruksel promovohet vepra për veprimtarinë e Ydriz Basha i Novosejt
Fondacioni Ydriz Basha (YBF), organizatë joqeveritare me seli në Bruksel, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK), prezantoi rezultatet e një projekti trevjeçar: botimin pesëvëllimësh që dokumenton veprimtarinë e Ydriz Basha i Novosejt në mbështetje të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Vepra, e titulluar “Kujtesa e Kosovës: Ydriz Basha i Novosejt”, përmbledh materiale të përzgjedhura nga një arkiv digjital me mbi 20,000 njësi, të dhuruara nga familja Basha në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në vitin 2018.
Ngjarja u mbajt në ambientet e Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës, në praninë e përfaqësuesve të misioneve diplomatike, pjesëtarëve të diasporës shqiptare, përfaqësuesve të institucioneve kulturore belge, si dhe kryetarit të Bashkisë së Brukselit, Philippe Close.
Ky botim është pjesë e projektit “Kujtesa e Kosovës”, i nisur në vitin 2022, i cili synon dokumentimin e historisë së Kosovës përmes dëshmive dhe përjetimeve të individëve që kanë kontribuar ose kanë përjetuar periudhat e shtypjes dhe padrejtësive.
Ky bashkëpunim shënon herën e parë që Biblioteka Kombëtare e Kosovës i kushton vëmendje të veçantë kontributit të diasporës politike, duke vlerësuar figurën e Ydriz Bashës dhe angazhimin e komunitetit shqiptar në Evropë gjatë viteve të rezistencës.
“Puna jonë do të vazhdojë,” u shpreh Kimete Mitrovica, një nga themelueset e Fondacionit Ydriz Basha. “Ne mbetemi të përkushtuar në mbledhjen, digjitalizimin dhe promovimin e historive jetësore të diasporës shqiptare.”
Fjalë rasti mbajtën edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, Blerina Rogova Gaxha, e cila ftoi diasporën për bashkëpunim në ndarjen e materialeve arkivore për dokumentimin e kujtesës historike dhe politike.