Shqip Up Comedy zbret në Gjermani, nis edicioni i pestë në Këln
Sonte Këlni bëhet qendra e humorit shqiptar, teksa nis edicioni i pestë i “Shqip Up Comedy Festival”, për herë të parë i organizuar në Gjermani.
Festivali që prej vitesh ka mbledhur publikun në Cyrih, këtë herë ka zgjeruar skenën e tij, duke sjellë një mbrëmje të veçantë për diasporën shqiptare në Këln.
Interesi për eventin është i madh, ndërsa salla “Elzhof Kulturgut” është mbushur me artdashës që mezi presin performancat e natës.
Në skenë do të ngjiten Ernest Zymberi, Luan Comedy, Drilona, Avni Shkodra dhe Gent Hazizi, të cilët pritet të sjellin një program të pasur me stand-up, batuta dhe situata komike që do të mbajnë publikun gjatë gjithë mbrëmjes.
Pas pjesës së humorit, nata do të vazhdojë me afterparty, ku atmosferën muzikore do ta krijojë DJ Besian Xhindole.
“Shqip Up Comedy Festival” vazhdon të forcojë praninë e tij në diasporë, duke sjellë humorin shqiptar në qytete të reja dhe duke e kthyer çdo edicion në një festë të përbashkët për publikun. /telegrafi