Filmi shqiptar “Dy Emra” mbyll xhirimet në Toronto

Filmi shqiptar “Dy Emra” mbyll xhirimet në Toronto

Kultura April 24, 2026 - 10:19

Filmi shqiptar “Dy Emra / Two Names”, me skenar dhe regji nga Florenc Papas dhe me drejtor fotografie Ilias Adamis, ka përfunduar me sukses xhirimet në Toronto të Kanadasë.

Lajmi është bërë i ditur nga producentja Gerta Qurku, e cila ka ndarë në rrjetet sociale disa fotografi nga seti i filmit, duke shënuar kështu përmbylljen e një etape të rëndësishme të këtij projekti kinematografik.

Sipas saj, realizimi i filmit ka sjellë së bashku profesionistë nga Shqipëria dhe Kanadaja, duke e shndërruar “Dy Emra” në një bashkëpunim të veçantë artistik e kulturor, që dëshmon për lidhjet gjithnjë e më të gjalla të krijimtarisë shqiptare me hapësirën ndërkombëtare.

Në rolet kryesore të këtij rrëfimi filmik interpretojnë aktorët Afrim Muçaj dhe Rina Krasniqi, të cilët pritet t’i japin jetë një historie me dimensione emocionale dhe njerëzore.

Producentja Qurku ka shprehur mirënjohje për aktorët, ekipin realizues dhe mbështetësit financiarë për përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë gjithë procesit të xhirimeve.

Një falënderim i veçantë i është adresuar Albanian Canadian Community Association si dhe Ambasadës së Shqipërisë në Ottawa, me ambasadoren Artemis Malo, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

Filmi “Dy Emra / Two Names” është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke shënuar një tjetër projekt shqiptar që synon të zgjerojë praninë e kinemasë kosovare.

Image