Pas dekadash, rikthehen librat e rrallë të vjedhur me vlerë miliona dollarë
Një koleksion i çmuar librash dhe dorëshkrimesh të rralla, i vjedhur dekada më parë, po u rikthehet më në fund trashëgimtarëve të pronarëve të tij, në një rast që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Mes veprave të rikuperuara përfshihen letra të poetit romantik John Keats, si dhe botime të autorëve të njohur si Oscar Wilde dhe James Joyce. Këto materiale ishin vjedhur nga një rezidencë në Long Island, pranë New York City, gjatë viteve 1980.
Prokurori i Manhatanit, Alvin Bragg, dorëzoi 17 prej këtyre veprave në një ceremoni zyrtare, duke i kthyer ato tek familja e koleksionistëve të njohur John Hay Whitney dhe Betsy Whitney. Sipas autoriteteve, librat u zbuluan vetëm vitin e kaluar, pasi një person i paidentifikuar tentoi t’i shiste te tregtarë librash të rrallë në Manhattan, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet.
“Manhatani është një nga qendrat më të mëdha kulturore në botë dhe nuk mund të lejojmë që të shndërrohet në një pikë për trafikun e artit dhe objekteve të vjedhura,” deklaroi Bragg.
Trashëgimtarët kanë bërë të ditur se planifikojnë t’i nxjerrin librat në ankand, me një vlerë të përgjithshme që arrin rreth tre milionë dollarë, ndërsa të ardhurat do të dhurohen për qëllime bamirësie.
Koleksioni përfshin ndër të tjera 37 letra dashurie të John Keats drejtuar të fejuarës së tij Fanny Brawne, të shkruara mes viteve 1819 dhe 1820, me një vlerë që arrin rreth 2 milionë dollarë. Po ashtu, pjesë e tij është edhe një kopje e firmosur e romanit “Finnegans Wake” nga James Joyce, si dhe një botim i hershëm amerikan i veprës “De Profundis” nga Oscar Wilde.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë, pasi ende mungojnë 11 vëllime të tjera nga koleksioni origjinal. Autoritetet theksojnë se rasti është i pazakontë, pasi librat u zbuluan shumë vite pas zhdukjes së tyre dhe në rrethana krejt të papritura.
Ky rikthim shënon një moment të rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe rikthimin e veprave me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe letrare tek pronarët e tyre të ligjshëm. /kultplus