Kryevepra e Gustav Klimtit “Portreti i Elisabeth Lederer” del në ankand, pritet të arrijë mbi 150 milionë dollarë

Kryevepra e Gustav Klimtit “Portreti i Elisabeth Lederer” del në ankand, pritet të arrijë mbi 150 milionë dollarë

Kultura November 12, 2025 - 10:05

Një nga portretet më të njohura të piktorit austriak Gustav Klimt, “Portreti i Elisabeth Lederer”, pritet të dalë në ankand javën e ardhshme, me një vlerësim që mund të kalojë 150 milionë dollarë. Vepra, e cila konsiderohet ndër kryeveprat e fundit të Klimtit, do të shitet nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s në New York dhe mund të thyejë çdo rekord të mëparshëm për artistin.

Piktura monumentale, e realizuar në vitin 1916, paraqet vajzën e një familjeje të pasur vjeneze, të veshur me një mantel të frymëzuar nga arti kinez – simbol i elegancës dhe pushtetit. Me përmasa afro 1.8 metra, ajo është një nga veprat më të mëdha dhe më përfaqësuese të stilit të vonë të Klimtit.

Historia e portretit është po aq e jashtëzakonshme sa edhe vetë vepra. Ai iu sekuestrua familjes Lederer nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shumë prej pikturave të koleksionit u shkatërruan. Por kjo pikturë mbijetoi, duke u bërë simbol i shpëtimit të trashëgimisë kulturore hebraike në Evropë.

Pas luftës, vepra iu kthye familjes dhe më vonë, në vitet ’80, u ble nga Leonard Lauder, trashëgimtar i perandorisë “Estée Lauder” dhe një prej koleksionistëve më të njohur të artit evropian. “Ai hante drekë çdo ditë pranë pikturës – ishte pjesë intime e jetës së tij,” ka deklaruar një historiane arti.

Përveç vlerës artistike, portreti mbart një histori njerëzore të dhimbshme: Elisabeth Lederer, e cila pozoi për Klimt në moshën 20-vjeçare, humbi gjithçka gjatë luftës dhe vdiq e vetmuar në Vjenë në moshën 50-vjeçare.

“Portreti i Elisabeth Lederer” do të jetë loti kryesor i koleksionit të Lauder në ankandin e ardhshëm, së bashku me dy peizazhe të tjera të Klimtit, që së bashku pritet të arrijnë mbi 400 milionë dollarë.

Një ngjarje që jo vetëm ngjall interes të madh në botën e artit, por rikthen në qendër të vëmendjes edhe trashëgiminë e ndërlikuar të një epoke të artit vjenez të fillimit të shekullit XX. /kultplus