Në Ditën Botërore të Poezisë, PEN Qendra e Kosovës solidarizohet me rastet e shkrimtarëve të persekutuar

Në Ditën Botërore të Poezisë, PEN Qendra e Kosovës solidarizohet me rastet e shkrimtarëve të persekutuar

Kultura March 21, 2024 - 12:11

PEN Qendra e Kosovës sot në orën 14:00 e shënon Ditën Botërore të Poezisë, që do të mbahet në kultplus "Caffe Gallery".

Duke filluar nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Poezisë. Në këtë ditë u kushtohet vëmendje leximit, botimit, promovimit dhe vlerësimit të poezisë.

Për të shënuar rëndësinë dhe domethënien e kësaj dite, anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës në një takim letrar do t’i lexojnë poezitë e tyre, si dhe do të përkujtohen poetë të njohur shqiptarë dhe botërorë. Gjithashtu, PEN Qendra e Kosovës solidarizohet me shkrimtarët e persekutuar kudo në botë.

Në ditën e sotme PEN International organizon sesionin virtual me temën “Lufta, censura dhe persekutimi: PEN International – lista e rasteve 2023-2024”, ku do të flitet për problemet kritike me të cilat ballafaqohen shkrimtarët dhe aktivistët kudo në botë. Në këtë sesion virtual, si dhe gjatë tërë muajit mars, PEN International do të nxjerrë në pah pesë raste të shkrimtarëve të persekutuar, për të cilët kërkohet veprim urgjent. Është fjala për këto raste: Bjellorusia: Maksim Znak. I burgosur; pa pasur asnjë lloj komunikimi që nga shkurti 2023. Kinë: Gui Minhai. I burgosur; aktualisht vuan dënimin me 10 vjet burg. Egjipt: Galal El-Behairy. I burgosur; i mbajtur në paraburgim arbitrar që nga korriku 2021, pasi kreu një dënim me tre vjet burg për poezinë e tij. Eritrea: Rast kolektiv i shkrimtarëve dhe gazetarëve eritreanë të ndaluar pa gjyq dhe pa pasur fare komunikim për 22 vjet. Nikaragua: Freddy Antonio Quezada. I ndaluar.