Inaugurimi i Qendrës Kulturore në Vushtrri, Hoti: Ngjarje e veçantë për jetën kulturore

Inaugurimi i Qendrës Kulturore në Vushtrri, Hoti: Ngjarje e veçantë për jetën kulturore

Kultura January 26, 2021 - 14:24

Në inaugurimin e qendrës kulturore “Hasan Prishtina” në Vushtrri, ku morën pjesë kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ministrja në detyrë e kulturës Vlora Dumoshi, si dhe kryetari i kësaj komune Xhafer Tahiri, u tha se ky objekt do të zgjidhë problemin për 100 vitet e ardhshme për kulturën.

Kryeministri në detyrë Hoti tha se kjo është një ngjarje e veçantë për jetën kulturore e artistike të kësaj komune.

“Ngjarje e veçantë për jetën kulturore e artistike në këtë vend me traditë. Një person që 24 orë është në shërbim të qytetarëve të komunës është kryetari Tahiri i cili tregon përkushtim, që duhet vlerësuar. Sot jemi për të përuruar këtë projekt dhe t’i urojmë të gjithë artistët pa dallim. Ky qytet ka traditë të madhe të mikpritjes. Shpreh mirënjohjen time dhe të Qeverisë që e kanë ruajtur këtë objekt ndër vite”, tha Hoti.

Ndërsa, kryetari Xhafer Tahiri tha se për këtë objekt kanë investuar një milion euro.

“Është nder për mua që bashkë me kryeministrin, ministrin, miqtë e kulturës po e përurojmë objektin më kapital të kulturës. Shtëpia e kulturës ‘Hasan Prishtina’, që po e përurojmë sot, qëndron sot dhe do të qëndrojë dëshmi e ndryshimit dhe ky vend të mbetet shtëpi e kulturës dhe jo e banesave. E gëzofshim të gjithë si qyteti i Hasan Prishtinës. Ne kemi ditur dhe do t’i nderojmë përjetësisht mysafirët”, tha Tahiri.

“Investim mbi një milion euro” shtoi Tahiri. /EO