Kinematë në Kosovë miliona humbje shkak i pandemisë, paralajmërohet rihapja e tyre nga java e ardhshme

Kinematë në Kosovë miliona humbje shkak i pandemisë, paralajmërohet rihapja e tyre nga java e ardhshme

Kultura September 01, 2020 - 09:50

Humbjet si pasojë e pandemisë llogariten milionëshe. Kinematë në Kosovë që nga muaji mars nuk janë duke funksionuar. Një vendim për rihapjen e tyre nga Qeveria pritet më së largu javën tjetër.

Në javën e kaluar përfaqësuesit e kinemave në Kosovë, kanë mbajtur një takim me Ministrinë e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, të cilëve ju kanë prezantuar protokollin për lejimin e veprimtarive të tyre nën masat kundër përhapjes së COVID-19, shkruan Zeri.info.

Menaxheri i marketingut në rrjetin e kinemave “Cineplexx”, Defrim Puka, ka bërë të ditur se humbjet si pasojë e pandemisë janë milionëshe, ndërsa ka thënë se tash e gjashtë muaj, mbi 45 punëtorë kanë mbetur të pa punë dhe presin rihapjen e tyre.

“Deri tash Cineplexx ka deri 3 milionë euro humbje si pasojë e mbylljes. Tash e 6 muaj mbi 45 punëtorë kanë mbetur pa punë dhe po presin të hapet kinemaja. Javën e kaluar kemi mbajtur një takim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministren e Kulturës, i kemi prezantuar një protokoll për hapjen e kinemave, i cili është bazuar nga shtetet evropiane që kanë hapur kinematë”, ka thënë Puka në Radio Prishtina.

Ai ka treguar se sipas protokollit i cili është bazuar nga shtetet evropiane që kanë hapur tashmë kinematë, janë paraparë të gjitha masat që do të aplikohen nëpër kinema, duke respektuar rekomandimet e OBSH-së kundër përhapjes së infeksionit COVID-19

“Do të sigurojmë distancën fizike, do të lansojmë aplikacionin online për blerje të biletave për të shmangur radhët në sportele, përdorimi i maskave nga vizitorët deri sa të hynë brenda kinemave, kontrollimi për temperaturë, do të bllokohen ulëset e korridoreve, do të zgjatet distanca mes filmave, po ashtu do të kujdesemi edhe për punëtorët që do t’i nënshtrohen kontrollove të shpeshta shëndetësore”, ka thënë Puka, duke shtuar se numri i personave do të caktohet përmes distancës fizike, ku për çdo biletë të blerë do të ketë hapësirë me dy ulëse.

Sipas tij të dy ministritë janë pro rihapjes së kinemave, ndërsa e kanë përcjellë protokollin në Qeveri nga e cila pritet vendimi për miratimin dhe rihapjen e kinemave.

“Ministria e Kulturës është pro hapjes së kinemave dhe prej Ministrisë së Shëndetësisë kemi pas premtime që kjo çështje të ec përpara, manuali tash është dërguar në qeveri dhe presim vendimin gjatë kësaj jave ose javën tjetër, si kinema ne kemi marrë të gjitha masat dhe jemi gati për të funksionuar si kinematë në shumë vende të botës”, ka shtuar Puka./Zëri