Infektuar: 10795
Shëruar: 6411
Vdekur: 365
Pilulat e hidhura të ëndërrimtarëve

Pilulat e hidhura të ëndërrimtarëve

Kultura July 14, 2020 - 09:35
Agron Tufa

(Shënime mbi romanin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” të Shkumbin I. A. Gashit, SHB “Pema”, Prishtinë, 2019)

Nga çfarë duarsh na shërbehet libri?

Nuk ka një hartë të qartë, por as të mjegullt madje, që të mundë të na bëjë me dije se çfarë pizazhi ofron letërsia më e re shqipe, ajo e rrjedhave të fundit, që të kemi një ide, një prognozë mbi disa poetë a prozatorë që premtojnë begatimin e këtij peizazhi, perspektivën e letrave tona me librat e tyre të parë. Kjo gjë do të kishte qenë krejt e mundur falë autoritetit të kritikës recensionale (nëse ajo do të kishte ekzistuar), e cila nuk ha vend shumë në mediat e shkruara apo në studiot televizive për kulturë. Mjafton një kënd i faqeve për kulturë apo një rubrikë televizive. Kjo ndodh dhe për faktin se ende kultura e shërbimit të librit, serioziteti dhe prestigji garantues i atyre që marrin përsipër ta bëjnë ndërmjetësimin mes autorit të ri dhe lexuesit, nuk kanë besueshmëri. E kemi shpërdoruar këtë instancë të rëndësisë vendimtare të “udhërrëfyesit” apo “guidës”, që na shpie në botët më të reja letrare, ku ne të jemi në gjendje të kapim intonacionin origjinal e premtues të një rishtari në letrat tona. Si të orientohemi? Ndërmjetësimin e besueshëm mes autorit dhe lexuesit, që kulturat e konsoliduara e kanë traditë të hershme për të dhënë “shtysën vendimtare” në njohjen e shijimin e autorit të ri, ne në Shqipëri dhe Kosovë e kemi korruptuar me kakofoninë e reklamës së pacipë, zhurmuese të reklamës së fishekzjarrtë plot lavde e hyjnizime boshe për autorë të dobët, që nuk e kalojnë nivelin e vetëshprehjes. Në këto rrethana pakkush e vret mendjen për pyetjen themelore: “Prej çfarë duarsh na shërbehet letërsia? Ç’përfaqëson vetë ndërmjetësuesi?”. Sepse po t’ia bëjmë vetes këtë pyetje, do të çmeriteshim tej çdo zhgënjimi. Në këto kushte shumë më të vështirë e kanë poetët dhe prozatorët e rinj, të cilët pasioni i të shkruarit dhe talenti i tyre, në vend që të shpërbleheshin me një pritje relativisht bujare e mirëseardhëse, duhet të vazhdojnë për dekada mundimet e Sizifit, pa e parë ende majën. Dikush mund të mendojë, mbase, se kjo është një gjendje normale, dmth., “le të torturohen, se do t’ia dinë vlerën më shumë”. Por unë nuk mendoj se kjo është kuraja që meriton një shkrimtar në fillim të rrugëtimit të tij dhe akoma më e padrejtë është ta privosh lexuesin të ndërtojë marrëdhëniet e veta të natyrshme me autorin, duke i servirur në fakt produktet e një simulacrum-i të pluhurnajës kulturore. Mediat (medium), me rubrikat kulturore, veçanërisht kur flasin për librin artistik, duhet të diferencojnë qartë nivelin e leximit, elitarizimin e sferës së leximit dhe lexuesve, sepse jo gjithçka është letërsi dhe jo gjithkush është autor.

Image

Kapërcimi i paragjykimeve për autorët e rinj

Romanin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” e fillova me ndjenjën e rëndomtë të skepticizmit për shkak të një paragjykimi “gratis”, nisur nga zhgënjimet e shpeshta për autorët e panjohur shqiptarë, për më tepër të rinj, të padëgjuar më parë. Për autorin e romanit Shkumbin I. A. Gashi, vetëm nga ballina e pasme e librit bëhet me dije se jeton në Zvicër, se është kandidat për PhD në fushën e psikologjisë dhe se ky është romani i tij i dytë, pas të parit “Anormopaetia”. Nuk ndesha askund me ndonjë shënim kritiko-recensional. Vetëm në fillim kështu, sepse romani pastaj “më mori përdore”, duke më përfshirë në botën e tij të strukturuar me fatet e protagonistëve, që përpëliten për mbijetesë midis ëndrrës në një tokë e qytetërim tjetër dhe melankolisë plot mall e trauma të vendet prej të cilëve kanë qenë të detyruar t’i braktisin.
Romani ka një kompozicion të qartë e të thjeshtë ndërtimi.

Rrëfimi që përfshin 215 faqe konfigurohet nga një kuartet novelash, ku secila sosh ngërthen fatin e njërit prej protagonistëve, që na rrëfejnë jetët e tyre të lidhura në një nyje paralize. Janë pra katër novela me emrat e protaginistëve të rrëfimit, përkatësisht “Ibrahimi”, “Rima”, “Kamila” dhe “Agroni”. Ata janë të katërt nxënës në një kurs të gjuhës gjermanë për emigrantët dhe fatet e secilit preken në njëfarë tangjeteje të romanit. Kështu na përftohet një rrëfim me katër botë depresive në përpjekje për të kapërcyer traumat që bartin nga atdheu prej nga vijnë. Asnjëri prej tyre nuk mund të quhet “i shpëtuar”, ndonëse qyteti i qetë e i sigurt zviceran u premton paqen dhe perspektivën e një jete të re. Por nuk është kështu: e kaluara me tmerret dhe pengjet e veta i përndjek dhe, pavarësisht rezistencën dhe përpjekjet që bëjnë, gjen udhë për t’i gllabëruar.

Po shohim vetëm njërën nga novelat (pjesët) e romanit që na rrëfehet nga djalosh nga Lindja e Mesme, me gjasë, i cili është në kapërcyell të adoleshencës (Ibrahimi), brenga dhe ëndrrat e të cilit e ngjyrosin fort romanin, që në fillim, me shijen e hidhur të tragjedisë edhe për fatet e personazheve të tjerë. Ibrahimi është i vetmi nga katër protagonistët e rrëfimit që vdes, ndonëse vëtëdija e tij vijon të jetë syçelë edhe pas vdekjes, mu sikur shkrimtari më këtë na nënvizon një fakt të rëndësishëm, sipas të cilit, edhe pse të tjerët mbijetojnë të gjallë, ata janë pakashumë të vdekur brenda ankthit të vazhdueshëm galopant që i glabëron. Pra, të vdekur të gjallë dhe të gjallë të pakallur. Ibrahimi është një i rrëmbyer nga vdekja, që nuk bindet të vdesë shpirtërisht, ndërkaq që Rima, Kamila dhe Agroni, kanë një perspektivë mbijetese të traumatizuar mga ankthi. Një ankth që i përndjek herë në trajtë avionësh bombardues (Rima), hërë në hapat e dihatjen e ndjekjes së burrit hakmarrës e kriminel (Kamila) e herë në ankthin e humbjes më të dhembshme të djalit të aksidentuar në koma, e që kjo kanoset të sjellë shpërbërjen e familjes (Agroni).

Ibrahimi

I pari nga katër personazhet këputet Ibrahimi, adoleshenti ëndërrimtar, i pjekur para kohe (një burrë i burgosur në trupin e një adoleshenti). Jeta e tij këputet tragjikisht shi atëherë, kur po i jepte trajtë ëndrrës së tij për punë dhe kur sapo ka zbuluar dashurinë. Këmbëngulja për të mbrojtur dinjitetin e nëpërkëmbur në vendin e huaj e bën atë pre të lehtë të dy armiqve vendalinj arrogantë e fobikë racistë. Ata hakmerren me djaloshin duke thurur skenarin e një intrige të besueshme, duke e akuzuar atë përmes ekranit të televizionit si dhunues e rrëmbyes. Në rrekje për të mbrojtur nderin e tij dhe të së dashurës ai përfundon i akuzuar si vrasës e rrëmbyes dhe në arrati prej arrestimit, drejt një strehe ku fshihej e tërhiqej rëndom, tek një mik i çuditshëm, rojtari i varrezave, gjen dhe vdekjen. Nuk ka rëndësi se kush e shkrehu revolverin, sepse, siç flet në agoni Ibrahimi: “Nuk e dija kush m kishte qëlluar, por lista e atyre që do ta bënin ishte rritur shumë kohët e fundit” (f.65).
Ibrahimi ndërron jetë nga plaga pikërisht në duart e infermieres Rima, shoqes së tij të kursit të gjuhës. Ai ka lënë amanet t’ia shpien trupin në vendlindje, pranë mamasë së luajtur menç prej vdekjes aksidentale e të parakohshme të motrës së tij. Por shpirti i Ibrahimit duket se është imortal, përderisa edhe pas vdekjes, që ia ndërpret ëndrrat, apo më saktë, pengjet e papërmbushura, ai vazhdon të “shohë” e të “ndjejë”:

“E di, është qesharake. Njeriu e merr të garantuar jetën, ajrin, ekzistencën dhe nuk mendon se ajo mund të zhduket sa hap e mbyll sytë. Vrapon verbërisht pas së ardhmes, duke mos shijuar kështu të tashmen… duke ia mohuar vetes dhuratën e së tashmes, dhuratën e gjërave të vogla, , buzëqeshjes, dashurisë, një dite me diell, një kafeje me qumësht, thjesht një ecje afër lumit.

Unë kam menduar gjithmonë se sado e mjerë të kishte qenë jeta ime, do të vinte një ditë ndonjë robot nga një planet tjetër, do të më zgjidhte mua të shpëtoja njerëzimin dhe pastaj çdo faqe e jetës do të kishte pasur kuptim. Sado e pabesueshme të më dukej, doja ta besoja. Doja gjithashtu të besoja se një ditë do të bëja aq shumë para, saqë do të mjaftonin për të rregulluar fshatin, do të bëja një çezmë me ujë të pastër… më të pastrin në botë dhe më pas do t’ia ktheja vetëdijen nënës. Nëna do të kthehej përsëri në dadën time. Por, sikurse thashë, duke vrapuar pas së ardhmes, i kisha mohuar vetes një të tashme.

Trupin ma çuan në fshat. I treguan nënës se edhe copa e fundit e trupit tim kishte vdekur. E ftuan në morg për ta marrë trupin tim. Ishte ftohtë në atë dhomë, edhe për mua që isha i vdekur. Teksa afrohej me hapa të ngadaltë drejt meje, po i nxiheshin buzët dhe po i ngrinte zemra. Secili hap drejt meje, ishte një hap më shumë drejt çmendurisë së saj të përhershme. Më qau, aq sa mbeti pa zë. U shua. E lashë të vetme. Ia ledhatoja fytyrën, e puthja në ballë, por ajo nuk e ndiente. I thosha “Dada, e shtrenjta ime”, por ajo nuk e dëgjonte. E kisha zhgënjyer edhe njëherë, për herë të fundit…”.

(faqe 65)

Poetika e romanit “Nënë, më fol për ëndërrimtarët”

Të jemi të qartë, që romani nuk e sjell e risinë as në sferën e formës (sintaksës), ndonëse kompozicioni, edhe pse i njohur në letërsi e kinematografi, është dinamik e funksional në çlirimin e një rrëfimi sa më të personalizuar, ndërsa fjalitë janë të organizuar në një sintaksë të kthjellët, shpesh me fjali të gjata, sintetike e analitike, nën një ritëm rrëfimi që sa vjen e dendësohet, deri sa mbërrin kulmin dramatik në të katër personazhet. Dhe as në sferën e përmbajtjes (semantikës), përderisa edhe kjo është gjerësisht e njohur dhe e vështirë t’i shtosh ndonjë nuancë, madje që nga antikiteti.

Ajo që më së shumti të intrigon në leximin “me një frymë” të romanit të Shkumbin I. A. Gashit është tjetër, është më së pari aftësia depërtuese në psikikën emocionale të personazhit të vet, mandej krijimi i një ansambli (grupi) personazhesh që japin një tablo më të gjerë, siç është krijimi i universalëve konstante të brengave individuale e kolektive të qytetërimit tonë modern e postmodern. Bota ku lëvizin e veprojnë këta shpirtra të ngarkuar me ëndrra e pengje, është një botë e shpërpjesëtuar, polarizuar aq skajshëm e aq dramatikisht në përballjen për “një vend nën diell”.

Në të gjitha kulturat është individi i thjeshtë, por me dinjitet, ai që provon t’i rezistojë nënshtrimit, shtypjes dhe rrafshimit të personalitetit, kundërvënie ndaj brutalitetit për të skartuar më të dobëtin, të pakrahun. Ndonse pa fuqi, përballë dhunës shtetërore e shoqërore, përballë pasojave e paragjykimeve politike, nancionale, mentale, kanunore e raciste, ky njeri përpiqet dëshpërueshëm të mos e fshijnë nga ekzistenca e të qenit në jetë, me idetë, utopitë dhe ëndrrat për ta jetuar atë. Edhe pse i pafuqishëm, ky njeri i lëshon botës apelin e vet të dobët, që ajo “duhet t’i bëjë llogaritë edhe me të”, pavarësisht fatit nëse mbijeton apo zhduket nën egërsitë e ligësitë e sofistikuara të qytetërimit tonë.

Të tillë janë fatet e personazheve të romanit, që përbëjnë një kuartet të prezantimit të një “familjeje të botës bashkëkohore”. Sfida dhe dilema e tyre, që rreh si një lavierës i çakërdisur emocional përgjatë gjithë rrëfimit është: “A do të mbijetoj? A do t’ia dal? A do të kemi dhe ne fatin e të dobëtës Tudora, bashkënxënëses, bukuroshes së brishtë bullgare, që u gjet e masakruar, me gjasë, nga tutori i saj?”

Përgjigjen për këtë e marrim tërthorazi, por të qartë, përmes katër rrëfimeve nga katër personazhet e romanit dhe për këtë përgjigje nuk është kusht as vdekja.

Epilogu në perspektivë i romanit, pas 15 vjetësh, na jep konvencionalisht një indicie për këtë, të kursyer e fragmentare, përmes një kamarieri në kafen “Galicia”, një topos i njohur për katër personazhet e romanit. Kamarieri, një “i huaj”, që është në një stad përsëritjeje të fateve të tyre (Ibrahimit, Rimës, Kamilës dhe Agronit), është ai me të njëjtën ëndërr, me të njëjtën dilemë: “A do t’ia dal?”. Atë e ka prekur një dialog mes një gruaje shkrimtare dhe të birit (nuk e kemi të vështirë t’ia qëllojmë se ajo është shkrimtarja e re urugajane, Kamila). I birit i lutet mamasë shkrimtare:


“ – Nënë, hë pra, më fol për ëndërrimtarët!
Gruaja e kishte puthur të birin në ballë, ishte mbushur me frzmë dhe kishte filluar:
- Do të rrëfej për ditën që unë, Ibrahimi, Agroni dhe Rima qamë me zë. Po, po me zë. E ndoshta ishte hera e vetme që vajit I kishim dhënë tingull, por ishte vetëm një nga herët e shumta që kishim qarë të gjithë me zemër…” (faqe 215).

Ajo që e bën këtë prozë të gjatë romanore të Shkumbin I. A. Gashit të një cilësie të mirë është intonacioni dhe toni i shtruar i rrëfimit, jashtë teprimeve e fjalomanisë, por me një vëmendje të mprehtë e skrupuloze për detajin dhe atmosferën; aftësia për të prodhuar situata paradoksale deri në humori të zi, autoironia e pakursyer dhe shkathtësia e brishtësia në ndërtimin e dialogjeve. Një prozë e zotëruar brenda një koprracie të ndershme, me një ndjenjë vetëkontrolli të masës.
Për këto virtyte, zonja e zotërinj, jua rekomandaj leximin e këtij libri, duke pasur një bindje, se në letrat tona po vjen një romancier serioz, që duhet mbajtur mend.

Librin “Nënë më fol për ëndërrimtarët” mund ta porosisni online nga faqja e Facebookut te Libraria Buzuku.

Image