Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Muzeu pa asnjë vizitor që nga rihapja, Galeria Kombëtare me vetëm 50 të tillë (Video)
Foto: Laura Hasani

Muzeu pa asnjë vizitor që nga rihapja, Galeria Kombëtare me vetëm 50 të tillë (Video)

Kultura May 27, 2020 - 17:33

Në fazën e dytë të lehtësimit të masave që nisi më 18 maj, në mesin e institucioneve që u rihapen nën masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore, ishin edhe Muzeu Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Kosovës.

Pavarësisht rihapjes, interesimi i qytetarëve për të vizituar këto institucione të artit, ishte i ulët.

Kimete Kllokoqi, cicerone në Muzeun Kombëtar, thotë se interesimi për ta vizituar këtë muze nga 18 maji e deri më sot, ka qenë i barabartë me zero.

“Prej 18 majit që është hapur muzeu nuk kemi pasur vizitorë, arsyeja ndoshta është se ne kemi vizitorë ndërkombëtar dhe bashkëatdhetar dhe kufiri është i mbyllur, po ashtu vizitor ka edhe nga nxënësit e shkollave por ato janë tashmë të mbyllura” tha Kllokoqi për “Zërin”

Kllokoqi thotë se para pandemisë, nga muaji janar i këtij viti deri më 11 mars, kur u vendos të mbyllet, muzeu ka pasur mijëra vizitorë, ndërsa thotë se numri i ulët pas rihapjes është edhe si pasojë e mbylljes së kufijve, pasi këtë institucion e vizitojnë shumë të huajt dhe shqiptarët e diasporës.

Por, pak më mirë se Muzeu me vizitorë qëndron Galeria Kombëtare, pavarësisht se ekspozitat e njëjta artistike po qëndrojnë të hapura që para pandemisë.

Sipas drejtoreshës së Galerisë Kombëtare, Arta Bunjaku-Agani, këtë institucion e kanë vizituar rreth 50 vizitorë që nga rihapja më 18 maj.

“Sipas direktivave të Qeverisë ne e hapem me datën 18 maj, gjithmonë duke pasur kujdes për të respektuar masat, ditëve të para kishte mjaft viziorë ndërsa dje e dhe sot më pak, diku rreth 50 vetë e kanë vizituar Galerinë këto ditë”, ka thënë Bunjaku-Agani.

Si Muzeu, ashtu edhe Galeria, presin që kjo situatë të ndryshojë nga data 28 maj kur do të nis faza e tretë dhe shpresojnë që numri i vizitorëve të rritet./Zëri