Nënshkruhet projekti madhor artistik “Manifesta 14”

Nënshkruhet projekti madhor artistik “Manifesta 14”

Kultura May 19, 2020 - 21:40

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar projektin “Manifesta 14” në Prishtinë.

Me këtë rast, Dumoshi është shprehur e lumtur për jetësimin e këtij projekti, një ngjarje kjo e madhe e artit pamor që do të mbahet në Kosovë, përcjell "Zeri.info".

Ministrja ka propozuar bashkëpunim në raport me themelimin e një institucioni të përhershëm të artit në Kosovë.

“Në diskutim me drejtuesen e bienales, znj. Hedëig Fijen kam propozuar bashkëpunim më të ngushtë në themelimin e një institucioni të përhershëm të artit në Kosovë, sipas standardeve dhe praktikave më bashkëkohore. Dhe jam e lumtur që në marrëveshjen tonë pa hezitim ka hyrë edhe kjo pikë”, ka shkruar Dumoshi në një postim në Facebook.

Më tej ministrja në detyrë ka falënderuar Komunën e Prishtinës për gatishmërinë në bashkëpunim të projekteve të tilla që kanë rëndësi për artin dhe kulturën në Kosovë.

“Falënderoj Komunën e Prishtinës për angazhimin dhe iniciativën, dhe ritheksoj gatishmërinë e bashkëpunimit në projekte të tilla të rëndësishme për artin dhe kulturën në vendin tonë. Prishtina në vitin 2022 do të jetë nikoqire e një prej bienaleve kryesore në Evropë, duke sjellë mijëra vizitorë të huaj, vëmendjen e mediave ndërkombëtare, dhe duke e pasuruar skenën artistike të Kosovës me bashkëpunime të reja, përvoja si dhe me një institucion të përhershëm artistik”, ka thënë ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi./ZËRI