Infektuar: 10247
Shëruar: 5944
Vdekur: 327
Pezullohen aktivitetet kulturore në Shqipëri

Pezullohen aktivitetet kulturore në Shqipëri

Kultura March 11, 2020 - 12:19

Aktivitetet kulturore janë pezulluar edhe në teatro ose në institucione të tjera kulturore në Shqipëri. Përmes njoftimeve bashkitë bëjnë me dije se për shkak të situatës aktivitetet kulturore do të pezullohen, ku përfshihen shfaqje teatrore, ekspozita etj. Bashkia e Shkodrës shprehet se në kuadër të masave të marra për përballimin e situatës së krijuar nga shfaqja e rasteve të para nga koronavirusi në Shqipëri, në mbështetje të urdhrave nga dikasteret qendrore, bën me dije se pezullohet çdo aktivitet deri në një njoftim të dytë.

“Duke filluar nga dita e sotme pezullohet mësimi dhe çdo aktivitet: Në institucione publike dhe jopublike, të tilla si aktivitete sportive, aktivitete kulturore dhe konferenca, tubime dhe takime me pjesëmarrje masive në vende të mbyllura ose të hapura, p.sh. koncerte, tubime dhe dëgjesa publike”, thuhet mes të tjerave në deklaratë. Po ashtu dhe Bashkia e Durrësit bën me dije se deri më 3 prill do të mbyllen aktivitetet, kjo në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin e koronavirusit në vend. “Mbylljen e aktiviteteve publike dhe jopublike, të tilla si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, deri më datën 3 prill 2020.

Anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura ose të hapura, të tilla si koncerte, tubime ose dëgjesa publike, deri më datën 3 prill 2020”, thuhet në deklaratë. Këto ditë në Teatrin e Durrësit pritej të ishte në skenë premiera "Historia e një ushtari”, por që sipas vendimit pezullohet.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale do të zhvillonte Festivalin Folklorik Tipologjik të Këngës Popullore Qytetare në Elbasan, por drejtori i Qendrës së Artit, Kliton Kapaj, thotë se janë anuluar të gjitha aktivitetet në këtë qytet. “Festivali është anuluar, të gjitha aktivitetet sipas VKM-së”, shprehet Kapaj.

Këto ditë në skenën e teatrit “Skampa” pritej të ishte në skenë dhe komedia me titull “Në emër të mikut”. Galeria “Edward Lear” në Berat gjithashtu njofton se ekspozita, që ishte planifikuar të çelej sot, nuk do të hapet. “Ekspozita e artistëve Llambrini Dena, Agron Polovina, Nezir Ago, Kastriot Dervishi, që do të çelej më datën 10 mars 2020, nuk do të çelet për shkak të urdhrit të dhënë nga Bashkia Berat për pezullimin e aktiviteteve”, njofton Galeria e Beratit./ZËRI