Ministrja Dumoshi në “Berlinale” takon drejtoreshën e EFA-s Marion Doring

Ministrja Dumoshi në “Berlinale” takon drejtoreshën e EFA-s Marion Doring

Kultura February 25, 2020 - 10:35


Ministrja e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Vlora Dumoshi, po qëndron për vizitë në Gjermani, në festivalin prestigjioz të filmit “Berlinale”, ku ka marrë pjesë në premierën e filmit “Exil”, i regjisorit kosovar Visar Morina.

Ministrja Dumoshi, në kuadër të takimeve gjatë kësaj ngjarjeje të madhe kinematografike evropiane, takoi drejtoreshën e “European Film Academy” Marion Doring, e cila pasi uroi ministren Dumoshi për takimin e falënderoi për pjesëmarrjen në “Berlinale” dhe u shpreh e lumtur nëse ministrja do t’i bashkëngjitej ndarjes së çmimeve të “European Film Academy”, që do të mbahet në Islandë.

Drejtoresha e EFA-s Doring gjatë bisedës me ministren Dumoshi theksoi që bashkëpunimi me Qendrën Kinematografike të Kosovës është tepër i rëndësishëm. Kosova në “European Film Academy” kontribuon me një numër të madh të artistëve. Po ashtu u diskutua edhe për iniciativa të reja për përfshirjen e të rinjve dhe të fëmijëve në punëtori të ndryshme, si formë e mirë e kultivimit të talenteve të rinj.

Nga ana e saj ministrja e falënderoi drejtoreshën e EFA-s, Marion Doring, për tërë vlerësimin për kinematografinë kosovare dhe për gatishmërinë rreth bashkëpunimit e përkrahje të mëtejme. Gjithashtu ministrja Dumoshi foli edhe për filmin “Exil”, ku u shpreh shumë e kënaqur për interesimin tejet të madh të pjesëmarrësve në Berlin për filmin e regjisorit Morina, i cili Kosovën e bën qendër të vëmendjes kinematografike gjatë këtij festivali prestigjioz.Zëri