Nis “Berlinalja”, Kosova përfaqësohet me filmin 'Exil'

Nis “Berlinalja”, Kosova përfaqësohet me filmin 'Exil'

Kultura February 21, 2020 - 08:00

Ka nisur mbrëmjen e së enjtes në Berlin të Gjermanisë njëra nga festivalet më të mëdha të filmit në Evropë, “Berlinalja”. Edicioni i 70-të i “Berlinales” mbledh sivjet mes datave 20 shkurt – 1 mars filmat më të mirë nga Evropa. Kësisoj për 10 ditë e vendos kryeqytetin gjerman nën ethet e filmit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në këtë edicion Kosova përfaqësohet me filmin “Exile”. Pas premierës botërore në “Sundance” filmi “Exil” nga Visar Morina do ta ketë premierën evropiane më 24 shkurt, në orën 15:30, në kinemanë “Zoo Palast 1”, në kuadër të programit “Panorama”.

Rrëfimi kosovar për Xhaferin, i cili prezanton Kosovën në Berlin

Filmi “Exil”, nga regjisori Visar Morina, rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit. “Exil”-i është bashkëprodhim në mes të “Komplizen Film” nga Gjermania, “Ikonë Studio” nga Kosova dhe “Frakas” nga Belgjika, i financuar nga ministri për Kulturë dhe Media, “Film - und Medienstiftung NRW”, “German Federal Film Fund”, “Belgium Film Tax Shelter”, “Medienboard Berlin Brandenburg”, Qendra Kinematografike e Kosovës, “Eurimages” dhe “German Federal Film Board”. “Exil”-i po ashtu sjell një kastë brilante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi. Regjisori Morina njihet më së shumti për filmin e tij të suksesshëm “Babai”, i cili u shfaq në shumë festivale botërore dhe rrëmbeu dhjetëra çmime viteve të fundit.

Filmi “Babai”, në rolet kryesore të të cilit luajnë Astrit Kabashi dhe Val Maloku, ka qenë propozimi i Kosovës në kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj” në “Oscars” për vitin 2015. Kabashi, që luan rolin e Gëzimit dhe Maloku që luan rolin e Norit sjellin rrëfimin për Kosovën e viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, ku njerëzit luftojnë për një jetë më të mirë, të cilët duan përvojën ta gjejnë nëpër rrugët e botës. Gëzimi, i cili dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, përballet me të birin Norin, i cili bën çdo gjë për të qenë me të. Në këto rrethana të zënë mes dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë marrëdhënia baba - bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Më 29 shkurt zbulohet fituesi i “Ariut të Artë”

Dashamirët e kinemasë do të zbulojnë se kush e fiton “Ariun e Artë” të vitit 2020 më 29 shkurt. Marrësit e dy çmimeve të tjera janë përcaktuar tashmë: Kamera e “Berlinales 2020” shkon te regjisori gjerman Ulrike Oettinger, kurse “Ariu i Nderit të Artë” te Helen Mirren. Aktorja që luajti yjet në "The Cook, Thief, Wife & Lover Her" dhe "The Queen" po nderohet gjithashtu me një homazh. Carlo Chatrian është drejtoresha e re artistike e Festivalit të Filmit në Berlin, ndërsa Mariette Rissenbeek është përgjegjëse për menaxhimin e festivalit sivjet. Chatrian është një ekspert i njohur i historisë së filmit dhe më parë drejtoi Festivalin Locarno. Rissenbeek punoi për “German Films”, organizatë kombëtare për promovimin ndërkombëtar të kinemasë gjermane. Të dy ndjekin gjurmët e regjisorit të famshëm, Dieter Kosslick.

"Panorama", kategoria në të cilën garon edhe Kosova, është një nga kategoritë kryesore në “Berlinale”, që përmban premierat botërore. “Seksi, ngathtësia dhe guximi” janë fjalët me të cilat e kanë përshkruar hartuesit e programit të “Berlinales” këtë kategori. Tutje në përshkrimin e kësaj kategorie thuhet se filmat shpalosin pikëpamje të ndryshme politike, feministe e jokonvencionale. Konkurrenca ndërkombëtare këtë vit në “Berlinale” ka tetëmbëdhjetë filma që shpresojnë të fitojnë një çmim si “Ariu i Artë” ose “Ariu i Argjendtë”. Tre filma nga të gjithë këta edhe zhvillohen në kryeqytetin gjerman, në Berlin. Mbetet të shihet deri në fund të festivalit se kush do të dalë triumfues. Zëri