Filmi jugkorean 'Parasite' triumfon në 'Oscar'

Filmi jugkorean 'Parasite' triumfon në 'Oscar'

Kultura February 10, 2020 - 17:38

Të dielën në Los Angelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve "Oscars 2020", shkruan gazeta "Zëri".

Filmi jugkorean “Parasite” është zgjedhur filmi më i mirë i vitit në ceremoninë e sivjetme “Oscars”, duke u bërë filmi i parë me gjuhë joangleze që fiton çmimin kryesor.

Renee Zellweger ka fituar çmimin për aktoren më të mirë për rolin e Judy Garlandit në “Judy”. Joaquin Phoenix u shpall aktori më i mirë për rolin e tij në filmin “Joker”.

Brad Pitt dhe Laura Dern fituan çmimet për aktorët më të mirë përkrahës për rolet në “Once Upon A Time in Hollywood” dhe “Marriage Story”.

“Parasite” fitoi katër çmime në total, përderisa “1917” mori tri çmime. Filmi i Luftës së Parë Botërore ishte favorit për të fituar çmimin kryesor, por çmimet që ai mori ishin në kategoritë teknike.

“Parasite” i Bong Joon-hos mori çmimin edhe për regjinë më të mirë, por edhe për skenarin më origjinal.

Filmi është një satirë sociale për dy familje nga klasa të ndryshme në Seul – një që jeton në varfëri në një bodrum dhe një tjetër e pasur, që jeton në një shtëpi të madhe.

Si kolona zanore më e mirë në këtë mbrëmje u shpall “(I’m Gonna) Love Me Again” nga Rocketman. Për makijazhin dhe stilin "Oscar" mori filmi "Bombshell".

Në anën tjetër me "Oscar" për efektet vizuale u shpërblye filmi "1917". Oscars për editimin më të mirë mori "Ford v Ferrari", kurse me "Oscar" për kinematografinë më të mirë u shpërblye Roger Deakins për filmin "1917". Filmi "1917" gjithashtu mori "Oscar"

për miksimin më të mirë të zërit.

Çmimin si aktorja më e mirë në rolin dytësor "Oscar" e mori Laura Dern për paraqitjen te filmi "Marriage Story". Sa u përket dokumentarëve, "Learning to Skateboard in a Warzone" (If You’re a Girl) u shpërblye si dokumentari më i mirë i shkurtër, kurse "American Factory" si dokumentari më i mirë i gjatë. Për dizajnin e produksionit u shpërblye filmi "Once Upon a Time…in Hollywood". Në mesin e filmave të animuar si më i miri u cilësua "Toy Story 4".

Rikujtojmë se "Oscar" është një çmim që jepet nga organizata e filmografisë amerikane “Academy of Motion Picture Arts and Sciences” për përsosurinë profesionale në industrinë e filmit, duke përfshirë këtu regjisorët, aktorët dhe shkrimtarët. Ceremonia zyrtare, në të cilën bëhet ndarja e çmimeve, është njëra nga ceremonitë e ndarjes së çmimeve më të shquara në botë dhe jepet drejtpërdrejt në televizion në më shumë se 200 vende çdo vit. Ajo është gjithashtu në ceremonia më e vjetër e ndarjes së çmimeve në medie, ekuivalentet e saj, “Grammy Awards” (për muzikë), “Emmy Awards” (për televizion) dhe “Tony Awards” (për teatër), janë modeluar pas “Academy Award”-it. Zëri