Libri i javës - “Çiraku i arkitektit” nga Elif Shafak

Libri i javës - “Çiraku i arkitektit” nga Elif Shafak

Kultura February 10, 2020 - 08:00

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Çiraku i arkitektit”, nga Elif Shafak. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”.

Libri na dërgon në Stambollin e shekullit të 16-të, në një kaleidoskop personazhesh historike dhe imagjinare, Xhahani është një mahaut, një kujdestar elefanti, gënjeshtar dhe oportunist, një djalë tinëzar me prejardhje të errët. Pasi arrin me anije në qytetin e shtatë kodrave, për të shoqëruar Çotën, elefantin e bardhë që shehu i Hindustanit ia dërgonte Sulltan Sulejmanit, jeta e tij mbeti brenda kufijve të stallave, mes tigrave, luanëve, gazelave e gjirafave. Xhahani do të mbetej përgjithmonë në rangun e shërbëtorit të privilegjuar, duke iu përkushtuar Çotës, kafshës që me ekstravagancën e saj zbukuronte kopshtin privat të kafshëve të pallatit mbretëror. Por fati bëri që t’i tërhiqte vëmendjen Sinanit, kryearkitektit mbretëror, i cili e mori si çirakun e tij. Sinani ishte burrë i urtë, i shtruar dhe i ndjeshëm; Xhahani nuk kishte ku të gjente mësues më të kujdesshëm dhe më të pasionuar dhe, nën udhëheqjen e tij, fitoi një punë të nderuar, hoqi dorë nga zakoni i vjedhjes dhe u rrit. Historia e tij është ajo e një suksesi të ndërtuar me durim dhe me përkushtim, njësoj si xhamitë dhe urat e mjeshtër Sinanit. Por jeta nuk pranon të skicohet dhe të projektohet: ajo thjesht ndjek rrugën e saj. Për Xhahanin do të sillej rrotull dy boshteve, dy dashurive: një e pamundur për princeshën Mihrimah, vajzën e sulltanit. Një e qëndrueshme dhe e thjeshtë për Çotën, që e priste dhe e ngushëllonte në çastet më të errëta, gjithnjë gjigand, besnik dhe i fortë. Në sfond kryeneç, si një aktor që kërkon gjithë hapësirën, qëndron Stambolli, shumëngjyrësh dhe mashtrues, magjepsës dhe i pakapshëm: një qytet që të grabit zemrën dhe ta mbështjell fort në mjegullat e tij, në perëndimet e diellit dhe në të fshehtat e tij, pa ta kthyer më kurrë.

Bijë diplomati, Elif Shafak u lind në Strazburg të Francës, më 1971-n. Rininë e parë e kaloi në Spanjë, para se të kthehej më pas në Turqi. Është autore e shtatë romaneve dhe vepra e saj është përkthyer në mbi njëzet gjuhë. Në Turqi ajo ka fituar çmimin e letërsisë "Mavlana" dhe “Çmimin e Romanit Turk”. Gjithashtu ka fituar një sërë çmimesh ndërkombëtare. Zëri