Shtëpia botuese muzikore “Magmus” prezantoi botimin e parë

Shtëpia botuese muzikore “Magmus” prezantoi botimin e parë

Kultura dhjetor 13, 2019 - 10:41

Shtëpia botuese “Magmus” ka prezantuar botimin e parë dedikuar promovimit të veprave të kompozitorëve të rinj kosovarë. Ky botim sjell veprën “Moving Landscapes” për orkestër harkore, një nga veprat më të fundit të kompozitorit Drinor Zymberi, njëherësh edhe kompozim që fitoi vendin e parë në një nga garat më prestigjioze për kompozim në Evropë “Sinnfonieta për Sinnfonieta” në Krakovë të Polonisë. Kjo garë ishte nën patronazhin e kompozitorit të njohur polak Krzystof Penderecki.

Në kuadër të promovimit që u bë të enjten të pranishmit patën rastin të dëgjonin në një panel diskutimi dhe një prezantim të veprës me diskutim nga kompozitori dhe panelistë të zgjedhur. Pas panelit pati një DJ sesion me muzikë të kompozitorëve të rijnë kosovarë, të shoqëruar me koktej.

Shtëpia botuese “Magmus” është shtëpi botuese e bazuar në Prishtinë, e specializuar në botime muzikore, me synim të promovimit të veprimtarisë së kompozitorëve kosovarë dhe arkivimin e tyre. Si synim tjetër kjo shtëpi ka botimin e punimeve shkencoro-edukative në muzikologji, në estetikë muzikore, në kritikë muzikore, në filozofi muzikore etj.

Drinor Zymberi, vepra e të cilit u botua të enjten, u lind në vitin 1987 në Ruhot, Pejë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Studimet Bachelor dhe Mastër i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, në drejtimin e Kompozimit në klasën e profesor Mendi Mengjiqit. Veprat e tij u prezantuan në festivale si: “DamFestival” Prishtinë, “ReMusica” Prishtinë, “Pre-Art Festival” Cyrih, Zvicër, “Ditët e muzikës së dhomës” Tiranë, Shqipëri, “Tingujt e flautit” Prishtinë, “Kuhmo Chamber Music Festival” Kuhmo, Finlandë, “Gaudeamus Music Week” Amsterdam, Holandë, “Ditët e muzikës kosovare” Prishtinë, “Teho Choir Festival” Tetovë, Maqedoni, “Sinfonietta Festival” Krakovë, Poloni, “Uracult Classics”  Koln, Gjermani, “Chopin Piano Fest” Prishtinë,  “Festival Maribor” Maribor, Slloveni. Aktualisht është profesor i lëndëve Kompozim dhe Forma muzikore në Universitetin e Prishtinës.Zëri