Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Shoqata Sindikale e Teatrit të Kosovës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar në Tiranë

Shoqata Sindikale e Teatrit të Kosovës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar në Tiranë

Kultura December 13, 2019 - 10:20
Image



Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës përshëndet përzgjedhjen e Teatrit Kombëtar në listën e 14 vendndodhjeve më të rrezikuara të Evropës. Shoqata shprehet se mirëpret vendimin e organizatës “Europa Nostra” dhe ky lajm paraqet një betejë kardinale të fituar në vazhdën e luftës së gjatë në mbrojtje të kësaj godine, më vlera të pazëvendësueshme kulturoro-historike. “Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ndihet krenare për përcaktimin e saj të hershëm, duke qenë subjekti i parë nga Kosova që u vu në përkrahje të kësaj kauze dhe të artistëve e të qytetarëve, të cilët i dolën në mbrojtje këtij monumenti kulturor. Pas gjithë këtij rrugëtimi e sakrifice, urojmë që objekti i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë vitin e ardhshëm të përzgjidhet në mesin e shtatë objekteve që do të fitojnë mundësinë të restaurohen nga ‘Europa Nostra’ dhe nga partnerët e saj, në mënyrë që kjo shtëpi t’u kthehet artistëve dhe qytetarëve në një gjendje të re e meritore”, shprehen aktorët nga Kosova në një deklaratë,shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas tyre, çdo sakrificë bart më vete përkushtimin dhe riskun e vet, por shpërblimi final do të jetë kënaqësia më e madhe për të gjithë ata që mendjen, trupat dhe kohën e tyre e vunë në shërbim të kësaj çështjeje madhore. Ndërkaq që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila ka publikuar dhe këtë deklaratë të artistëve nga Kosova, shprehet se që në 2018-n ata kanë qenë pranë tyre. “Vlerësojmë lart mbështetjen që kemi marrë nga Shoqata që në vitin 2018 e në mënyrë të përsëritur këtë verë, kur zëvendëspresidenti i Shoqatës, aktori Naim Berisha, i ishte përgjigjur thirrjes sonë për mbështetje dhe u gjend në Tiranë për të dhënë mbështetje me praninë e tij. Më vonë ai qe ndër të parët artistë, të cilët vendosën të sillnin shfaqje teatrale në skenën e Teatrit Kombëtar në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit. Dhe në vijim ai hartoi edhe një letër mbështetëse që i është bashkëngjitur si dokument shoqërues dosjes së aplikimit për ‘Europa Nostra’”, shprehet AMT-ja.

Sipas Aleancës, të gjitha këto kanë një vlerë të veçantë e të çmuar në historikun e qëndresës së tyre, vlerë që e njohin sot e do ta njohin edhe në vijim. “Nga Kosova kemi pasur mbështetje artistike e njerëzore, vëllazërore dhe e kemi ndier si të tillë, mbështetje e vërtetë, e pashtirur, nga ato që lënë gjurmë”, vijon Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Rikujtojmë se në fund të muajit nëntor artistë dhe intelektualë nga Shqipëria, si dhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të Tiranës mbajtën debat të hapur me komunitetin teatror, me publikun, si dhe me mediet e Kosovës. Temat kryesore të këtij debati ishin sfidat dhe përpjekjet që po bën komuniteti i artistëve për ruajtjen nga shembja të godinës aktuale të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në këtë diskutim aktori Edmond Budina u shpreh se në Shqipëri nuk ka teatër më të mirë se ky, por ky teatër është i keqmbajtur qëllimisht.

Mysafirët nga kryeqyteti shqiptar thanë para artdashësve në Prishtinë se jeta kulturore në Tiranë ka shkuar në kolaps pikërisht prej shkatërrimit të ambienteve teatrore. Për artistët teatri ka vlerë të jashtëzakonshme, e cila shkon përtej të bukurës ose të shëmtuarës dhe të shkatërrosh një teatër për të ndërtuar kulla të ndryshme për ata është e pavlefshme. Në shkurt të vitit 2018 ata filluan protestat e para. Këto protesta u intensifikuan nga muaji qershor, kur çdo ditë me radhë u organizua një e tillë. Ndërsa prej datës 18 korrik, kur policia i sulmoi aktorët, intelektualë e qytetarë të thjeshtë të Tiranës kanë okupuar Teatrin dhe qëndrojnë aty 24 orë në mbrojte, duke bërë roje. Artistët kanë organizuar edhe një festival për mbrojtje të teatrit, shpenzimet e të cilit janë mbuluar nga pensionet e qytetarëve të thjeshtë. Në kuadër të këtij festivali ata kanë dhënë 40 shfaqje të ndryshme, duke përfshirë dhe balet e ekspozita të ndryshme, të cilat janë vizituar nga mbi 5.000 veta. Ata treguan se shfaqjet janë realizuar me gjeneratorë, për arsye se shteti ua ka ndërprerë ujin dhe dritat që të mos funksionojë Teatri, veprim ky të cilin aktorët e konsiderojnë akt kriminal.Zëri