Libri i javës - 'Histori e Ballkanit' nga Misha Glenny

Libri i javës - 'Histori e Ballkanit' nga Misha Glenny

Kultura November 25, 2019 - 10:16

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Histori e Ballkanit” nga Misha Glenny. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” dhe është përkthyer nga Abdurrahim Myftiu e Kastriot Myfti.

Botimi i plotësuar i "Histori e Ballkanit: Nacionalizmi, luftërat dhe Fuqitë e Mëdha 1804 - 2012" nga Misha Glenny sipas "Guardian" është një vepër që meriton admirim të jashtëzakonshëm dhe që nuk e ka shoqen deri tani.

Sikundër në të gjithë librat e tjerë që merren me Ballkanin, përkufizimi për këtë gadishull i përdorur në këtë libër është një ndërthurje kriteresh gjeografike, historike e politike. Si rajone themelore janë vështruar Greqia kontinentale, Serbia, Kroacia, Rumania (edhe pse roli i Transilvanisë është dytësor), Turqia e Perandoria Osmane, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Për aq sa kanë ndikuar nganjëherë në këto treva, janë trajtuar shkurt edhe territoret periferike të Sllovenisë, të Vojvodinës, të Hungarisë, të Moldavisë, të Anadollit, të Qipros, si dhe ishujt grekë të Egjeut e të Jonit. Vështirësia në çështjen e përkufizimit të Gadishullit të Ballkanit lind nga bashkimi i disa cilësimeve e përshkrimeve politike e gjeografike, që në vetvete janë problematike. Termi Gadishull Ballkanik është i kohëve të reja, i krijuar nga gjeografi gjerman Johann August Zeune më 1808-n. Ai ka lindur nga keqkuptimi i dikurshëm se vargu i maleve Ballkan, shtylla kurrizore e Bullgarisë së sotme, nuk ndërpritet në Serbinë Lindore (sikundër ndodh në të vërtetë), por zgjatet pa ndërprerje nga Deti i Zi në Adriatik. Gjatë një shekulli ky përshkrim i pasaktë la në hije emërtime të tjera klasike ose gjeopolitike, si “Turqia në Evropë” ose Lindja e Afërt, sikundër parapëlqehet në shumicën e gjuhëve evropiane. Termi më asnjanës, Evropa Juglindore, vijon si në anglishten, ashtu edhe në gjermanishten edhe sot e kësaj dite.

Librin mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë me çmim prej 15€. Zëri