“Nobel”-i i përgjigjet Krajës: Handke u shpërblye për letërsinë¸ jo për personaliteti

Kultura November 20, 2019 - 10:22

Akademia suedeze i është përgjigjur letrës së kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, lidhur me kërkesën që të anulohet çmimi” Nobel për Letërsi”, i dhënë për shkrimtarin austriak proserb, Peter Handke. Në letrën e Akademisë suedeze të drejtuar kreut të ASHAK-ut, Anders Olssson, kryetari komitetit “Nobel” shkruan se çmimi “Nobel për Letërsi” i është dhënë Peter Handkes për veprën që ka krijuar dhe jo për personalitetin e tij. Më tutje në letër thuhet se ndarja e çmimit “Nobel” është në përputhje me testamentin e Alfred Nobelit. “Është e qartë se Handke kuptohet në mënyra të ndryshme. Kur Handke shpërblehet me këtë çmim qëllimi është të shpërblehet puna e tij e jashtëzakonshme në letërsi, jo personaliteti”, thuhet ndër të tjera në letrën e akademisë “Nobel”. Më tutje në letrën e nisur si përgjigje për akademikun dhe kryetarin e ASHAK-ut, Mehmet Kraja, theksohet se në një shoqëri demokratike duhet të ketë gjithmonë vend për opinione të ndryshme, porse ata besojnë në fuqinë e ligjit, siç është Tribunali i Hagës. “Për ne të gjeturat e Tribunalit janë esenciale për mësimin e historisë tragjike të Evropës, prej së cilës shpresojmë të mësojmë të gjithë”, përfundon kështu me respekt letra e nënshkruar nga Anders Olssson, kryetari komitetit “Nobel”. Rikujtojmë se Handke njihet për qëndrimet e tij proserbe dhe kundër vendimit të NATO-s për ta bombarduar Serbinë. Peter Handke ka qëndrime proserbe që prej luftërave të fillimviteve të ’90-ta në ish-Jugosllavi. Ai publikoi në gjermanisht një libër me titullin “Kukuvajkat e Velika Hocas”-it. I konceptuar fillimisht si një reportazh i gjatë gazetaresk, ky libër mori më pas formën e një romani letrar. Handke ka shkruar edhe një ese me titullin “Drejtësi për Serbinë”. Në 20-vjetorin e bombardimeve ai ka qëndruar në Beograd, ku ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Forumi i Beogradit për Paqe dhe Barazi dhe ka folur për 15 minuta rreth bombardimeve.

Shkrimtari Handke, gruaja e të cilit është serbe, ka vizituar në vitin 2015 Kosovën dhe serbët, të cilët kanë mbetur në Hoçë të Madhe dhe ua ka dorëzuar donacionin prej 50 mijë eurosh për ndërtimin e pishinës në fshat. Donacioni ishte pjesë e shpërblimit “Henrik Ibzen”, që Peter Hendke e mori në vitin 2014. I njohur si një mbështetës i ish-Jugosllavisë titiste, Peter Handke ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj Francës dhe ndaj Gjermanisë, që lejuan pavarësinë e Kroacisë dhe të Sllovenisë. Handke shkoi t’ia jepte edhe lamtumirën e fundit diktatorit serb Milosheviq në Beograd.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës përmes një letre të nisur për akademinë “Nobel” ishte shprehur e zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të çmimit “Nobel për Letërsi” për shkrimtarin austriak Peter Handke. "Peter Handke nuk ishte në anën e drejtë të historisë së popujve të Ballkanit dhe as të Kosovës; nuk ishte në anën e ndritshme të ideve, por gjeti strehë në anën e errët të ngjarjeve tragjike të Ballkanit", thuhej mes të tjerash në reagimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.Zëri