Financat mbesin sfidë e vazhdueshme e teatrove kosovare

Financat mbesin sfidë e vazhdueshme e teatrove kosovare

Kultura November 20, 2019 - 10:02

Liridona Ahma

Javën e kaluar Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës përmes një komunikate për medie ngriti edhe një herë zërin për problemet e vazhdueshme financiare, me të cilat po ballafaqohen dhe pakënaqësitë e tyre si komunitet teatror. Asociacioni shprehi shqetësimin e tij rreth moskryerjes së obligimeve të mjeteve financiare nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës ndaj teatrove publike të qyteteve, pavarësisht faktit të përfundimit të këtyre projekteve nga teatrot, projekte këto të fituara nga Konkursi për Projektet Kulturore – Artistike në mars të vitit 2019. “MKRS-ja ka mbështetur projektet teatrore të këtyre teatrove në bazë të konkursit për Projektet Kulturore – Artistike në mars të vitit 2019, por deri më tani teatrot e qyteteve nuk i kanë marrë ende ato mjete për projektet e dala nga ai konkurs. Që nga fillimi i vitit 2019 teatrot publike të qyteteve nuk kanë marrë akoma mjetet financiare nga ky konkurs dhe kjo ka shkaktuar vazhdimisht dhe po shkakton akoma telashe, vështirësi dhe obligime në menaxhimin e tyre financiar”, thuhet në njoftimin e këtij Asociacioni.

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve bën thirrje dhe kërkon nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që sa më parë të shqyrtojë kërkesën rreth alokimit të këtyre mjeteve, në mënyrë që edhe teatrot t’i kryejnë obligimet ndaj artistëve të angazhuar në këto projekte. Mirëpo edhe 7 ditë pas këtij njoftimi publik ky Asociacion nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga organet kompetente. As gazeta “Zëri” nuk ka arritur të marrë një sqarim nga MKRS-ja për këtë çështje.

Kastrati: Kjo gjendje po ndikon në motivimin e aktorëve

Edi Kastrati, kryetar i Asociacionit të Teatrove Publike në Kosovë dhe drejtor i teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu”, tregoi për gazetën “Zëri” se shqetësimet ende vazhdojnë dhe nuk kanë marrë ndonjë përgjigje definitive sa i përket alokimit të mjeteve.
“Nuk kemi marrë përgjigje ende, përkundrazi drejtoresha e Ministrisë së Kulturës ka bërë një intervistë, ku ka thënë që ne nuk kemi përfunduar obligimet dhe mbylljet e mëhershme, gjë e cila nuk është e vërtetë, sepse lënda është ende në proces në financa dhe ato nuk rrezikojnë daljen e mjeteve, të cilat neve na duhen”, tregoi Kastrati.

Kryetari i këtij Asociacioni na bëri të ditur se ende vazhdon pritja për alokimin e mjeteve dhe nuk e dinë se çfarë ka ndodhur e as a po merren me këtë çështje në MKRS. “Nuk kemi marrë ende asnjë shkrim ose ndonjë telefonatë për të shkuar t’i nënshkruajmë kontratat, përderisa disa prej nesh nuk i kemi as të shkruara kontratat, gjë që është dashur të jetë e përfunduar deri tani”, bëri të ditur Kastrati. Teatrot e qyteteve kanë shumë obligime të cilat duhen t’i përfundojnë dhe Kastrati shpreson se nuk do të kalojë viti pa u realizuar alokimi. “Do të presim deri në fund të muajit nëntor për t’u realizuar pagesat, sepse paratë u takojnë aktorëve, regjisorëve dhe nuk mund të presim më gjatë. Nëse nuk kemi përgjigje së shpejti, besoj prapë do të takohemi si Asociacion dhe do të marrim ndonjë vendim”, theksoi Kastrati. Kjo situatë, në të cilën ndodhen, po ndikon edhe te aktorët, të cilëve po u humb durimi dhe vullneti për angazhim. Siç na bëri të ditur më tutje drejtori i teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu”, secili projekt që realizohet përcillet me repriza disa herë. Kur një shfaqje arrin sukses të madh dhe pritet mirë nga publiku vjen ballafaqimi i aktorëve me moskryerjen e obligimeve ndaj tyre dhe kjo paraqet shumë vështirësi për t’i motivuar dhe për t’i ngritur prapë në skenë të luajnë reprizën e shfaqjes. “Ka shfaqje për të cilat kanë bërë prova 3 muaj, që vazhdojnë të shfaqen qe 2 muaj, ndërsa aktorët nuk janë paguar asnjëherë”, përfundoi kështu Kastrati.

 

Teatri i Ferizajt ende në pritje të kompensimit financiar për edicionin që ka përfunduar javë më parë


Këtë gjendje të njëjtë po e përjetojnë edhe teatrot e qyteteve tjera të Kosovës.
Këtu përfshihen: Teatri i Gjakovës, i Gjilanit, i Prizrenit, i Mitrovicës, i Pejës, i Prishtinës dhe i Ferizajt. Asnjëri prej tyre nuk i ka marrë mjetet që i takojnë.

Festivali i Teatrove të Ferizajt, si çdo vit tjetër, edhe këtë vit i dhuroi publikut momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore.

Sipas Fatmir Hysenit, drejtor i teatrit “Adriana Abdullahu”, realizimi i këtij edicioni të 49-të me radhë nuk ka kaluar pa sfida as sivjet. Për “Zërin” ai tregoi se MKRS-ja për këtë festival, që është njëri nga më të vjetrit në Kosovë, ka paraparë të ndajë 5.000 euro, të cilat ende nuk ua ka paguar, edhe pse Festivali ka disa javë që është mbajtur. “Ne i dërgojmë kontratat në Ministri, të cilat i bëjmë me kompani të ndryshme e ajo vetëm duhet t’i paguajë ato. Shpenzimet tjera të Festivalit të Teatrove i ka mbuluar Komuna e Ferizajt, që është një mbështetëse shumë e madhe dhe sponsorët e ndryshëm”, shtoi Hyseni, duke treguar se shumë shpejt do të jepet edhe shfaqja “Makina e Dashurisë” dhe se as për realizimin e saj nuk ka pasur asnjë pagesë nga ana e Ministrisë. Menaxhmenteve të teatrove po u del edhe një problem tjetër me kompanitë, të cilat bashkëpunojnë për projekte, sepse kur ata i dërgojnë faturat e tyre dhe detyrohen që ato fatura 3-mujore t’i deklarojnë, në momentin që po kalojnë muajt dhe arrijnë tek 6-mujori pa u paguar kompanitë detyrohen të paguajnë tatim të dyfishtë. Siç merret vesh, MKRS-ja nuk i ka kryer pagesat ndaj asnjë organizatori që ka fituar projekte kulturore në kuadër të këtij programi që nga muaji mars i vitit 2019.Zëri