Libri i javës  -  'Mbi kontratën shoqërore' nga Jean-Jacques Rousseau

Libri i javës - 'Mbi kontratën shoqërore' nga Jean-Jacques Rousseau

Kultura nëntor 18, 2019 - 10:46

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Mbi kontratën shoqërore” nga Jean-Jacques Rousseau. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema”. "Njeriu lind i lirë e gjithandej është në vargonj". Me këtë fjali fillon kapitulli i parë i këtij libri që ka shkaktuar debate të pafundme që prej botimit të parë në vitin 1762. Duke e kundërshtuar idenë se një njeri mund të ketë të drejtën natyrore të pushtetit mbi të tjerët, Rousseau argumenton të kundërtën: një pakt, një "kontratë shoqërore" që duhet të ekzistojë në mes të qytetarëve të një shteti prej të cilës rrjedh fuqia sovrane. Nga kjo premisë fundamentale trajton lirinë, ligjin e drejtësinë duke arritur në përfundime që për disa përbëjnë totalitarizëm e për disa shpallje e parimeve nistore demokratike.

Jean-Jacques Rousseau ka qenë një shkrimtar, filozof e muzikant zviceran e frankofon. Filozofia politike e tij frymëzoi Iluminizmin në Francë dhe në Evropë, mendimet e tij ndikuan gjithashtu në Revolucionin Frëng dhe zhvillimin e përgjithshëm të politikës dhe mendimit pedagogjik modern. Zhan Zhak Ruso konsideronte se te gjithë njerëzit, për nga natyra, janë të barabartë. Sipas Rusos pushteti i përket popullit dhe ai duhet të vendosë për mënyrën e qeverisjes së vendit. Ai ishte për heqjen e mbretërisë dhe vendosjen e republikës. Sipas tij nuk mund të ketë atdhetarizëm pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetar; krijoni qytetarin dhe keni çdo gjë që iu nevojitet; pa atë ju keni asgjë, përveçse skllevër që nga sundimtari e deri poshtë. Me një forcë të madhe emocionale, këtu, ai këmbëngul se morali është i korruptuar nga zëvendësimi i besimit me shkencën, nga ndjeshmëria artistike, nga imoralja në letërsi dhe nga vendosja e ndjenjave mbi logjikën. Rousseau e zhvilloi karrierën e tij gjatë iluminizmit francez, në epokën e arsyes, e cila ne Francën e shekullit të tetëmbëdhjetë dominohej nga Volteri (1694-1778), Monteskie (1689-1755), Didero (1713-1784), Kadorcet (1730-1794), Holbah dhe të tjerë, të cilët njiheshin si filozofët e asaj kohe.

Librin “Mbi kontratën shoqërore” nga Jean-Jacques Rousseau mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë dhe kushton 8 euro. Zëri