Polakja Tokarczu dhe austriaku Handke, laureatë të 'Nobelit për Letërsi'

Polakja Tokarczu dhe austriaku Handke, laureatë të 'Nobelit për Letërsi'

Kultura October 11, 2019 - 11:03
Image

 

Shkrimtarja polake Olga Tokarczu është fituese e çmimit “Nobel për Letërsi” për vitin 2018, kurse shkrimtari austriak Peter Handke është laureati i këtij çmimi për vitin 2019. Këtë e bëri të ditur akademia suedeze të enjten. Sivjet u dhanë dy çmime “Nobel për Letërsi”, për vitin 2018 dhe 2019. Ky vendim u mor pasi vitin e kaluar, për shkak të disa skandaleve brenda akademisë suedeze ky çmim nuk u nda fare. Edhe këtë vit në garë ishte shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare, shkruan sot gazeta  "Zëri".

Të shpërblyer për imagjinatë narrative dhe për vepër me ndikim

Në një sallë të mbushur plot në Akademinë Suedeze, në Stokholm të Suedisë, të enjten sekretari i përhershëm i kësaj Akademie, Mats Malm, shpalli romancieren Olga Tokarczuk si laureaten e “Nobelit për Letërsi” të vitit 2018 dhe shkrimtarin Peter Handke si fituesin e vitit 2019. Tokarczuku u vlerësua nga juria për një imagjinatë narrative, që me pasion enciklopedik paraqet kalimin e kufijve si një formë të jetës dhe Handke për një vepër me ndikim që me zgjuarsi gjuhësore ka eksploruar periferinë e specifikën e përvojës njerëzore. Malm tha se të dy laureatët ishin informuar për fitoren e tyre. Sipas tij, kur Handke e mori lajmin ishte në shtëpi, kurse Tokarczuku ishte në një turne leximi në Gjermani dhe i është dashur të parkohej në një anë të rrugës që ta pranonte telefonatën.

Kjo përzgjedhje erdhi disa ditë pasi Akademia Suedeze premtoi të largohej nga e kaluara e orientuar nga burrat dhe u zotua ta kthente reputacionin e dëmtuar nga disa skandale seksuale të dy vjetëve më parë.

Rikujtojmë se “Nobeli për Letërsi” ndahet çdo tetor, siç kërkohet në testamentin e shkencëtarit Alfred Nobel, “Për njeriun që ka krijuar në fushën e letërsisë veprën më të vlefshme me një drejtim ideal”. Prej vitit 1901 këtë çmim e kanë fituar 113 njerëz, prej të cilëve deri dje vetëm 14 kanë qenë gra. Shkrimtarët që shkruajnë në anglisht kanë qenë më së shpeshti laureatët të “Nobelit për Letërsi”. Deri tash kemi 29 fitues të “Nobelit” që shkruajnë në anglisht, të ndjekur nga 14 në frëngjisht, 14 në gjermanisht, 11 në spanjisht dhe 7 në suedisht.

Shkrimtari austriak, i cili kundërshtoi bombardimet e NATO-s, laureati i sivjetmë i Letërsisë

Autorit austriak Peter Handke çmimi “Nobel për Letërsi” për vitin 2019 i është dhënë me arsyetimin se me veprimtarinë e tij letrare ka eksploruar përvojën njerëzore. Sipas komitetit “Nobel”, Handke është bërë një nga shkrimtarët më me ndikim në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, shqiptarët e njohin pak më ndryshe austriakun.

Handke, që sapo u shpërblye me çmimin “Nobel për Letërsi”, njihet për qëndrimet e tij proserbe dhe kundër vendimit të NATO-s për ta bombarduar Serbinë.  Peter Handke ka qëndrime proserbe që prej luftërave të fillim viteve ’90-a në ish-Jugosllavi. Ai publikoi në gjermanisht një libër me titullin “Kukuvajkat e Velika Hocas”-it. I konceptuar fillimisht si një reportazh i gjatë gazetaresk, ky libër mori më pas formën e një romani letrar. Handke ka shkruar edhe një ese me titullin “Drejtësi për Serbinë”. Në 20-vjetorin e bombardimeve ai ka qëndruar në Beograd, ku ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Forumi i Beogradit për Paqe dhe Barazi, në të cilin ka folur për 15 minuta rreth bombardimeve. Shkrimtari Handke, gruaja e të cilit është serbe, ka vizituar në vitin 2015 Kosovën dhe serbët, të cilët kanë mbetur në Hoçë të Madhe, ua ka dorëzuar donacionin prej 50 mijë eurosh për ndërtimin e pishinës në fshat. Donacioni ishte pjesë e shpërblimit “Henrik Ibzen”, që Peter Hendke e mori në vitin 2014. I njohur si një mbështetës i ish-Jugosllavisë titiste, Peter Handke ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj Francës dhe e ndaj Gjermanisë që lejuan pavarësinë e Kroacisë dhe të Sllovenisë. Handke shkoi t’i jepte edhe lamtumirën e fundit diktatorit serb Milosheviq në Beograd. Shkrimtari Handke u lind më 1942 në jug të Austrisë. Handke filloi të studionte  juridikun në vitin 1961, por ndërpreu studimet kur u botua romani i tij i parë "Die Hornissen". Në përgjithësi, romanet e Handke janë rrëfime ultraobjektive të personazheve që kanë gjendje mendore ekstreme. Romani i tij më i njohur “Die Angst des Tormanns beim Elfmeter” është një rrëfim emocionues për një lojtar futbolli, i cili kryen një vrasje të pakuptimtë dhe më pas pret policinë ta marrë në paraburgim. Handke deri tani gjithashtu ka shkruar tregime të shkurtra, ese, radiodrama dhe vepra autobiografike. Tema mbizotëruese e shkrimeve të tij është se gjuha e zakonshme, realiteti i përditshëm dhe rendi shoqërues e racional ka një efekt shtrëngues dhe vdekjeprurës te qeniet njerëzore dhe janë nën themel të irracionalitetit, të konfuzionit dhe madje edhe të çmendurive.

Nobelistja e 15-të e Letërsisë, një aktiviste e zëshme në vendin e saj

Duke rrëmbyer çmimin “Nobel për Letërsi” për vitin 2018 shkrimtarja polake Olga Tokarczu u bë gruaja e 15-të në historinë e “Nobelit të Letërsisë” që arrin të marrë këtë çmim.

Tokarczuk, e konsideruar romancieria më e talentuar polake e brezit të saj, ka një varg bestsellerësh me firmën e saj dhe një stil që përzien realen me mistiken. Një vegjetariane dhe ambientaliste, shkrimtarja 57-vjeçare është gjithashtu një aktiviste politike, e cila guxon të kritikojë qeverinë e krahut të djathtë të Polonisë.  Ajo mori kërcënime me vdekje më 2015-n, pasi u tha medieve shtetërore se një “Poloni e hapur dhe tolerante ishte një mit”. Botuesit e saj i ofruan asaj siguri fizike për një javë. Librat e saj portretizojnë një botë polikromantike në lëvizje të përhershme, me tipare të personazheve të ndërthurura dhe gjuhë të saktë e poetike.

E lindur më 29 janar 1962, në qytetin perëndimor Sulechow, Tokarczuku studioi psikologji në Universitetin e Varshavës. Ajo punoi si terapiste për disa vjet në qytetin perëndimor të Walbrzychut dhe publikoi një koleksion poezish përpara se të kalonte në prozë. Vitin e kaluar ajo fitoi çmimin e rëndësishëm britanik “Man Booker Prize” së bashku me përkthyesin e saj Jennifer Croft për romanin e saj të vitit 2007 "Fluturimet", versioni në anglisht i të cilit doli në vitin 2017.

As sivjet salla e Stokholmit nuk u bë një pallat ëndrrash për Ismail Kadarenë

Edhe këtë vit emri i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare u lakua në mesin e pretenduesve për çmimin “Nobel për Letërsi”. Madje nëpër disa lista parashikuese emri i tij u pa edhe në top-dhjetëshe. Shkrimtari gjirokastrit u nominua për romanin e tij “Pallati i ëndrrave”, por as sivjet salla e koncerteve e Stokholmit nuk u bë një pallat ëndrrash për Ismail Kadarenë. Romani me të cilin ai është i nominuar për këtë çmim shpreh sintezën e instalimit të diktaturës me një stil të përsosur metaforik. Ky roman u botua për herë të parë më 1981 me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.

Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer në mbi 45 gjuhë të huaja. Në këtë formë përmes tij letërsia shqipe është bërë e njohur në gjithë botën. Në fushën e prozës Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, i cili nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit ose të analogjive historike.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me mungesën e ndryshimeve demokratike. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike e shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare. Që nga viti 1994 Kadareja është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK-ut. Zëri