'Shpia e Agës' hap festivalin e Tetovës 'TIFF Oda 2019'

'Shpia e Agës' hap festivalin e Tetovës 'TIFF Oda 2019'

Kultura October 04, 2019 - 11:10

Me filmin kosovar “Shpia e Agës” do të hapet edicioni i tetë i festivalit të filmit në Tetovë të Maqedonisë së Veriut “TIFF Oda 2019”. Filmi i regjisores Lendita Zeqiraj do të shfaqet para publikut tetovar të hënën, më 7 tetor, në orën 19:00. Ngjarja do të mbahet në Qendrën për Kulturë të Tetovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Regjisorja Lendita Zeqiraj është shprehur e nderuar se pikërisht me filmin e saj do të nisë edhe ky festival i filmit. “Është nder që TIFF-ja ka zgjedhur filmin ‘Shpia e Agës’ për ta hapur këtë edicion. Ejani dhe shiheni historinë tonë”, ka thënë Zeqiraj.

Edicioni i tetë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Oda” do të fillojë më 7 tetor dhe do të zgjasë deri më datë 13 tetor/  Nga gjithsej 3963 filma të pranuar nga 113 vende të botës, 88 prej tyre do të konkurrojnë këtë vit në edicionin e tetë të këtij festivali.

Ky festival ka disa kategori të filmave në të cilat konkurrohet: “Cine Balkan Panorama” (për filmat që janë të prodhuar në regjionin e Ballkanit), “Filmi më i Mirë”, “Skenari më i Mirë”, “Aktorja më e Mirë”, “Aktori më i Mirë”, “Kontributi Artistik”, “Çmimi i Jurisë”, si dhe “Çmimi i Publikut”.

 

Një dramë për një djalosh në botën e grave

Filmi “Shpia e Agës” përcjell Agën (Arti Lokaj), 9-vjeçar, i rritur me nënën e tij në një shtëpi jashtë qytetit, ku jetojnë bashkë disa gra. Ai mëson pak gjuhën serbe nga Zdenka, një grua e nacionalitetit kroat, në mënyrë që ta gjejë babanë e tij, për të cilin mendon se është në burg në Serbi. Por historia e Agës merr kahe tjetër kur fëmija e kupton një të vërtetë të pamenduar. E ndonëse temat, të cilat i prek janë të ndjeshme e plot dhimbje, regjisorja Zeqiraj ka zgjedhur të mos heqë dorë nga stili që e karakterizon, të cilit i pëlqen ta quajë “tragjedio-komedi”. Pa marrë parasysh ndjeshmërinë e situatave, të qeshurat në filmin e Zeqirajt nuk mungojnë.

Barrën e historisë, që ka zgjedhur ta tregojë përmes filmit të saj, regjisorja Lendita Zeqiraj ua ka lënë aktorëve: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. Siç shihet, kësaj kaste nuk i mungojnë emra të dëshmuar të skenës tonë filmike, por regjisorja Zeqiraj ka guxuar të punojë edhe me aktorin e ri Arti Lokaj, që vjen në rolin kryesor e që sipas kritikave arriti me sukses të përçojë mesazhin e pritur. Befasi e këndshme për publikun doli të jetë edhe aktorja Rozafa Çelaj, e cila duke aktruar krahas Adriana Matoshit, Shengyl Ismailit, Melihate Qenës e të tjerëve, ndonëse e re në sytë e publikut, arriti të fitojë simpati dhe të komentohet për paraqitjen e saj.

“Shpia e Agës” ka zgjuar interesim të madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovi Vary, ku pati premierën botërore. Atje ka marrë dhjetëra kritika pozitive nga mediet botërore, ku njëherësh edhe është shpërblyer nga Federata Evropiane e Kritikëve të Filmit – FEDEORA. Tashmë filmi i ka të konfirmuara mbi 30 pjesëmarrje në festivale prestigjioze të filmit në Kanada, në Gjermani, në Francë, në Kurdistan, në Maqedoni, në Spanjë, në Slloveni, në Shqipëri etj.

“Shtëpia e Agës” ka për producent Bujar Kabashin. Filmi “Shpia e Agës” është bashkëprodhim mes Kosovës, Kroacisë, Francës dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese “N’art Films”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit “Woof Films” nga Kroacia; “Sacrebleu Productions” nga Franca, “Ska-Ndal Productions” dhe “SY13 Films” nga Shqipëria, i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në konferencën për medie para premierës në “Cineplexx” producenti Bujar Kabashi bëri të ditur se tashmë janë duke negociuar me dhjetëra festivale, në mënyrë që “Shpia e Agës” të vazhdojë rrugëtimin e vet ndërkombëtar. Zëri