Mësonjëtorja e Korçës i nënshtrohet rikonstruksionit

Mësonjëtorja e Korçës i nënshtrohet rikonstruksionit

Kultura September 17, 2019 - 10:34

Në Mësonjëtoren e Korçës kanë nisur punimet për rikonstruksionin e saj. Punimet në këtë ndërtesë pritet të përfundojë para fundit të vitit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shprehet se ky objekt me rëndësi do t’i kthehet vendit sipas parametrave bashkëkohorë. “Ndërtesa emblematike e historisë së arsimit shqip, Muzeu ABC në Korçë po i nënshtrohet rikonstruksionit. Kishte ardhur koha që Mësonjëtorja, ky objekt-dëshmi i arsimdashjes dhe kurajës t’u kthehej jo vetëm korçarëve, por gjithë Shqipërisë, sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë, por duke ruajtur karakterin e saj monumental. Pas sondazheve, do të fillojnë punimet në të gjithë strukturën, mure, çati, dyer e dritare të amortizuara nga koha, për të vijuar me rrjetin elektrik, sistemin e ngrohjes, të mbrojtjes nga zjarri. Para fundit të vitit gjithçka do të jetë gati”, pohon ministrja e Kulturës në Shqipëri Elva Margariti, ndërsa ka publikuar dhe disa foto gjatë punimeve në këtë objekt.

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe në viset shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane. U hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë, në periudhën e fundme të Perandorisë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muze dhe ndodhet në veri të bulevardit "Shën Gjergji".