Ferizaj së shpejti me Pallat të Kulturës

Ferizaj së shpejti me Pallat të Kulturës

Kultura shtator 16, 2019 - 10:12

Muaj më parë ulëset e Kuvendit të Komunës së Ferizajt u patën mbushur nga dhjetëra artistë, arkitektë, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë për të ndjekur prezantimin e diskutimin publik të projektit për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale ose Pallatit të Kulturës, investim ky milionësh tërësisht i mbuluar nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nikoqiri i këtij organizimi, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtoreshën e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Xhemile Murati-Shabani, kanë qenë pjesë e diskutimit që është zhvilluar për projektin e Shtëpisë së Kulturës të këtij qyteti. I pari i Ferizajt, Agim Aliu, pati theksuar se edhe ky projekt identitar për kulturën e Ferizajt është mbështetje direkte e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe se qeverisja e drejtuar nga ai, me qasje transparente e komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët ka interesim ta konsumojë debatin me komunitetin e me grupet e interesit, me qëllim që tash në fazën iniciale të bëhen ndryshimet e nevojshme në këtë godinë ku për dhjetëra vjet do ta shtrijnë aktivitetin e tyre grupet kulturore ferizajase.

Në anën tjetër kryearkitekti i grupit të arkitektëve - AEK (Architecture Engineering Kosova), i përzgjedhur në bazë të konkursit publik, ide fituese për këtë projekt, Fahrush Azemi, ka thënë se kjo godinë mishëron elementet identitare të Ferizajt, duke u nisur nga Maja e Lybetenit, hekurudha, bifurkacioni, historia e grupeve kulturore këtu dhe të tjerat, të cilat kanë bërë që ky projekt t’i marrë përmasat e një vepre kulmoro-kulturore, identitare dhe të dinjitetshme për kulturën e për artistët ferizajas.

Në këtë organizim u prezantua hollësisht projekti, përkatësisht ideja fituese për objektin e Qendrës Multifunksionale, i cili zgjoi interesimin e të pranishmëve për fusha specifike të projektimit, organizimin e brendshëm funksional, qëndrueshmërinë, estetikën dhe nyjat tjera të domosdoshme për infrastrukturën kulturore.

Salla ekspozuese, holle, salla koncertale, galeria, muze, zyra pune e kthina të tjera janë ato që përfshin ky projekt me kapacitet gjigand të pjesëmarrjes së publikut, prej 840 ulësesh. Grupi i Arkitektëve mori sugjerimet e të pranishmëve dhe u zotua se ato do t'i inkorporojë në finesat e këtij objekti, që me sa më pak tolerancë sfidash të realizohet ky projekt.

Hoxha: MRKS-ja vë në prioritet projektet konkrete

Samir Hoxha, këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit në MRKS, ka njoftuar për “Zërin” se në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt ka të planifikuar në investime kapitale projektin “Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale në Ferizaj”. Hoxha thekson se rëndësia e këtij projekti është një nga prioritetet e kësaj Ministrie. “Ky projekt është njëri ndër projektet më të mëdha të Ministrisë në bashkëpunim me Komunën, në të cilin projekt parashihen shumë funksione brenda saj, si edhe salla e Teatrit, salla e Baletit, salla e Filarmonisë , salla Koncertale etj”, u shpreh Hoxha.

Fati i shtëpive të kulturës në Kosovë nuk është duke shkuar në rrugën më të mirë. Gazeta “Zëri” ditë më parë ka publikuar lajmin se shumica e shtëpive të kulturës mezi qëndrojnë në këmbë. I pyetur se ndër komunash pse është zgjedhur kjo e Ferizajt që të bashkëpunohet dhe të investohet Hoxha nuk heziton të thotë se kanë zgjedhur komunën e Ferizajt, sepse është një ndër komunat më bashkëpunuese dhe se ka poseduar planin konkret në dorë. Sipas tij, kjo është kërkesa që MRKS-ja bën ndër vitesh, ku sipas Hoxhës mungojnë planet konkrete. “Kemi zgjedhur komunën e Ferizajt, sepse ka qenë ndër komunat më bashkëpunuese dhe ka pasur projekt konkret. MKRS-ja për këtë vit ka të ndara 75,000 euro dhe për vitet në vazhdim do të ndajë mjete tjera. Projekti është bërë nga Komuna e Ferizajt dhe të gjitha detajet tjera mund t’i siguroni nga Komuna”, tha Hoxha.

Tutje shton se MRKS-ja si institucion i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit konsideron që projektet si ky janë në interes të vendit dhe të shoqërisë. “Projektet si ky i Ferizajt janë në interes të vendit dhe në të njëjtën kohë dinamizojnë jetën kulturore në vend. Vlen të theksohet se në këtë Qendër do ta gjejnë veten të gjitha shtresat duke filluar nga fëmijët, të rinjtë e deri te moshat e shtyra, të cilët do të kenë mundësi t’i shikojnë aktivitetet që do të realizohen në këtë Qendër”, u shpreh Hoxha për “Zërin”.