'Hapat e parë në kamp' sjell fëmijët refugjatë të Çegranit nga objektivi i Demirit

'Hapat e parë në kamp' sjell fëmijët refugjatë të Çegranit nga objektivi i Demirit

Kultura August 21, 2019 - 09:42
Image

“Ditën Botërore të Fotografisë” e shënuan me aktivitet kulturor edhe qytetarët e Luginës së Preshevës. Në organizim të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe në bashkëpunim të shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, në ambientet e kësaj shtëpie, është organizuar ekspozita “Hapat e parë në kamp”, të autorit më të spikatur të fotografisë shqiptare nga Kumanova, Osman Demiri. Ekspozita ka përmbledhur 40 fotografi të kampit më të madh që ishte në Maqedoni, saktësisht të kampit të Çegranit gjatë luftës në Kosovë.

Siç është thënë nga pjesëmarrësit, ekspozita të shëtit në kujtime të mijëra familjeve që jetonin syrgjyn të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Aty pasqyrohet jeta që kanë bërë në kamp familjet shqiptare gjatë luftës në Kosovë, kushtet me të cilat kanë mbijetuar dhe interesantja është që në ekspozitë jorastësisht janë zgjedhur fëmijët ta pasqyrojnë një realitet të asaj periudhe. Puna e Demirit u vlerësua si pasqyruese e një realiteti në kohën në të cilën jetojmë. “Jorastësisht kjo ekspozitë është titulluar ‘Hapat e parë në kamp’, meqenëse një numër i konsiderueshëm i këtyre fëmijëve hapat e parë i kanë hedhur pikërisht në të. Ideja e kësaj ekspozite ka qenë të prezantojë më të mirën e kampit, sepse në fakt aty nuk ka pasur asgjë të mirë, përveç fytyrave të fëmijëve dhe pafajësia e tyre. Këta fëmijë nuk e kishin idenë se ku ndodhen, çfarë bëjnë dhe çka kërkojnë këtu. Këta fëmijë sot kanë mbi 20 vjet dhe shumica e tyre mendoj se janë jashtë Kosovës. Uroj që këta fëmijë me këto fytyra kaq paqësore të prezantojnë Kosovën, popullin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme”, shprehet Demiri.

Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, njëherësh edhe organizator i aktivitetit, kur foli për ekspozitën e vlerësoi si të jashtëzakonshme veprën e Demirit. Sipas Mustafës, fotografitë flasin më shumë se një mijë fjalë. “Ekspozita të shëtit në kampin e pashpresë të Çegranit dhe fëmijët që i dhanë shpresë të sotmes. Një ekspozitë e jashtëzakonshme. Mirënjohje të gjithëve që e bënë të mundshme”, vlerësoi Mustafa. Afeida Borici-Mehmeti e ka theksuar lart ekspozitën, duke thënë se çdo gjë që shihet në ekspozitë nuk është e prezantuar rastësisht. “Këto fotografi janë të realizuara vetëm me fëmijë. Kjo nuk ka ndodhur krejt rastësisht. Është titulluar ‘Hapat e parë në kamp’ sepse bëhet fjalë për një grupmoshë fëmijësh, ku një pjesë e madhe e tyre hapat e parë i kanë bërë në kampin e Çegranit”, tha ajo.

Për të gjithë ata që nuk kanë mundur ta përcjellin ekspozitën, ajo do të jetë e hapur në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë deri më datën 23 gusht 2019.