Hartohet plani për mbrojtjen e Kalasë së Gjirokastrës

Hartohet plani për mbrojtjen e Kalasë së Gjirokastrës

Kultura August 20, 2019 - 09:24
Lexo më shumë detaje

 

Autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje për të ndalur rrënimin e Kalasë së Gjirokastrës. Ky monument kulture ka vite që konsiderohet se është në mjerim, edhe pse me dhjetëra specialistë kishin dhënë alarmin, mësohet se asnjë masë nuk u mor nga Ministria e Kulturës, nga Instituti i Monumenteve ose nga institucionet e tjera përgjegjëse, shkruan gazeta "Zeri".

Së fundi në lëvizje është vënë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka hapur një ofertë për hartimin e një plani për të ndërhyrë në Kalanë e Gjirokastrës. Arkitektë, inxhinierë të strukturave, gjeologë dhe gjeoteknikë, arkeologë, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe ekspertë hidrologë do të jenë pjesë të ekipit të konsulentëve, i cili do të hartojë një plan ndërhyrjeje në Kalanë e Gjirokastrës, për ta mbrojtur atë nga dëmtimi.

Lida Miraj, arkitekte - arkeologe, është shprehur më herët se ndërhyrja aty ishte emergjencë. “Gjirokastra është në rrezik, ku bën pjesë edhe kalaja. Është e domosdoshme dhe shumë urgjente një konsultë në Gjirokastër me profesionistë sizmologë, konstruktorë, gjeologë, arkitektë, restauratorë. Këto foto me muret e kalasë, rrëshqitjen e dherave etj. tregojnë për faktin se kambanat po bien fort”, kishte deklaruar ajo disa muaj më parë, duke treguar se apelet e ekspertëve nuk kanë munguar, percjelle gazeta "Zeri".

Financimi do të jetë nga Banka Botërore, fonde të cilat janë dhënë në kuadër të përmirësimit të turizmit në Shqipëri. Kalaja e Gjirokastrës vlerësohet se është njëra nga monumentet me të vizituara nga turistët e huaj dhe nga vizitorët vendas. E ndodhur në qytetin që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, popullariteti i saj është rritur vit pas viti.