Një guidë mbi interpretimin e trashëgimisë kulturore në Evropë

Një guidë mbi interpretimin e trashëgimisë kulturore në Evropë

Kultura August 16, 2019 - 11:03
Lexo më shumë detaje

Arsim Canolli

 

Në dekadat e fundit, studimet mbi kujtesën, kryesisht atë që konsiderohet si kujtesë kolektive, kanë bërë bujë të madhe. Kemi një sërë tekstesh që kanë dalë nga shkencat shoqërore e dijet humane, nga filozofia e deri te folkloristika. Në këto studime kemi edhe koncepte të shumëta të cilat karakterizojnë studimin e kujtesës si “flama e kujtesës”, “kujtesë-mania”, “epidemia e kujtesës”, “kriza e kujtesës”, “industria e kujtesës” e me radhë. Madje disa nga aspektet e saj janë quajtur edhe “industria e trashëgimisë” apo “kryqëzata e trashëgimisë”. Shumë nga këto terme e koncepte bartin në vete konotime negative për atë se çfarë është duke ndodhur me kujtesën kolektive të një vendi të caktuar. Por, a ka kujtesë një kontinent i tërë? A mund ta konceptojmë një kujtesë evropiane, për shembull? Si duket ajo? Si do të interpretohej ajo? A mund të bëhet një antropologji e kujtesës evropiane? Bëjmë këto pyetje sepse, Evropa nuk është një ishull melanejzian, ku antropologu mbledh historinë e ishullit të “zbuluar” nga evropianët në shekullin 20, duke pyetur aborigjenët për të kaluarën e tyre, përmes një vëzhgimi pjesëmarrës në jetën e tyre. Evropa ka një histori të gjatë, të shtresuar, të dokumentuar, të arkivuar, të monumentalizuar, të objektivuar në art, arkitekturë, muzikë, letërsi, urbanizëm, etj. Historia e saj është në vizatime në shpella, në tempuj paganë, në gërmadhat e kishave të vjetëra, në udhët e fontanat e saj, në epitafet e shpërndara anekënd saj, në gur e pergamena, në papiruse e letra të shumëta, në pallate e kisha, në rrugë e në cisterna uji. Dhe, të gjitha këto janë të shpërndara gjithandej Evropës, nëpër shtete e qytetet e fshatërat e shumëta, afër Mesdheut, në zemrën e tokës gjermane, në brigjet e detërave e brenda në hinterlande e saj. Si bëhet një antropologji e Evropës? Çfarë është Evropa? Ajo gjeografike apo kulturore, ajo politike apo ekonomike? Kjo ka qenë pyetje mjaft e madhe në vitet 90, kur antropologët filluan të vrojtojnë efektin e ideve dhe artefakteve të reja “evropiane”, kryesisht si rezultat i asociacionit politik evropian. Sepse nga konteksti i filozofisë politike, ekziston një pajtim argumentativ se çfarë e ka shquar Evropën e evropianët gjatë mileniumeve e shekujve të fundit dhe cila është trashëgimia e saj. Filozofi britanik Roger Scruton thotë se e kaluara helenistike, ligji romak dhe krishterimi është triniteti i asaj që sot konsiderohet si Evropë, si një vend gjeografik , politik e kulturor, ku asociohen entitete të ndryshme kombëtare. Megjithatë, në shekullin e fundit, përplasja e evropianëve ka qenë e madhe, sidomos në Luftën e Dytë Botërore, dhe pas saj janë krijuar shumë politika, ndër to edhe BE, për të mjekur plagët evropiane. Kështu që ideja e një “identiteti evropian” të materializuar nga praktika e artefakte, ka filluar të dalë në pah, qysh atëherë, edhe pse ka nisur të refuzohet në dekadat e fundit. Kjo, edhe për arsye të raportit me faktorët e konsideruar nga evropianët si joevropianë dhe për arsye të irritimit nga ideologjia e asocioacionit politik panevropian.

Në librin “Tokat e kujtesës: trashëgimia dhe identiteti në Evropën e sotshme” (Memorylands: Heritage and Identity in Europe today, 2013), antropologia britanike Sharon MacDonald synon pikërisht konceptualizimin dhe interpretimin e materializimit të kujtesës evropiane si trashëgimi kulturore evropiane. Libri është rezultat i analizës së literaturës dytësore dhe evidencës parësore të saj si antropologe. MacDonald synon të hyjë në debat si antropologe, duke dashur që profilizojë një qasje studimore prej kësaj pikëpamjeje, gjithnjë në kontekst interdisiplinar. Këtë e bën për arsye se e sheh antropologjinë të lënë anash nga diskutimet e temave të mëdha. Në vitet e fundit kemi monografi antropologjike ku merren 2-3 shtete evropiane si vende të hulumtimit antropologjik, përmes qasjes krahasuese, ndonëse shumica e monografive vijnë si monografi të marrëdhënieve shoqërore e kulturore brenda një fshati e qytetit të një shteti të caktuar. Antropologët kanë pasur dhe kanë këtë qasje: për shembull, të shihet Evropa prej kokrrës së ullirit italian. Dhe, antropologjia e Evropës, është ende e lidhur ngushtë me antropologjinë e shtetit-komb dhe rrallë ka dalur jashtë saj, pos në rastet kur flitet për transnacionalen dhe transkulturoren, si dy koncepte të reja, por ende jo sa duhet të gdhendura teorikisht e empirikisht.

Por, Sharon MacDonald i hyn një interpretimi metaantropologjik për të forcuar "karrigen" e antropologjisë në tryezën e diskutimeve akademike mbi kujtesën e trashëgiminë evropiane. Ajo nis librin me një tjerrje të teorive të ndryshme mbi kujtesën dhe trashëgiminë kulturore. Ajo analizon edhe kontekstin historik të trashëgimisë evropiane, duke u fokusuar në mënyrat a trashëgimizimit të vonshëm në Evropë. Sipas saj, synimi kryesor i antropologut historian është “t’i dëgjojë dokumentet kah flasin” dhe t’i “vërej motivet dhe rastet kur ato nuk flasin”, në mënyrë që të dëgjojë më qartë konversacionin e kohës. Ajo analizon një mori monografish, ku përdoret një metodologji e ndërlidhur me histori gojore, arkivore, vrojtim me pjesëmarrje, e me radhë.

Kapitulli i dytë vazhdon me diskutimin e simboleve unifikuese të Bashkimit Evropian, të cilat janë kryesisht simbole të trashëgimisë kulturore evropiane, të pallateve, tëmuzikës, të shenjave kryesore në Gjermani, Francë, e gjetiu. Dihet se burokratët e Bashkimit Evropian synonin të afirmonon një trashëgimi kulturore të përbashkët si element esencial i identitetit evropian. Por, pa dyshim se të imponosh një identitet ekonomik, në një vend të përshkuar me garë për lavd e tokë, është mjaft vështirë. Andaj, edhe evropianët e zakonshëm nuk kanë emocione e nuk kanë krijuar afekt për simbolet “e përbashkëta” evropiane, të disenjuara nga burokratët e Brukselit.

Ajo pohon argumentin e Pierre Noara-së se koha jonë, koha pas Luftës së Dytë Botërore e këndej, shquhet si kohë e Evropës kujtesore. Në secilin shtet, rajon, qytet, qytetzë, fshat e lagje evropiane gjejmë artefakte kujtesore. Prej muzeve, memorialeve, pllakave, shtatoreve, busteve, e deri te letrat në të cilat evndosim gotën me birrë, vërejmë se Evropën e ka pushtuar ndjenja e muzealizimit, afekti i kujtesës, nevoja e promovimit të përkatësisë, pretendimi i veçantësisë në identitet lokal, e me radhë. A është duke u bërë Evropa një “Memoryland”, një park i madh i trashëgimisë kulturore, me tema e motive të shumëta, me artefakte e tregime të ndryshme, shpeshherë edhe kontestuese, në çdo cep të saj? T.S. Elliot ka shkruar për tokën e shkretë apo “Waste land”, duke aluduar në Evropën e shkatërruar të shekullit XX. Por, sipas pikëpamjes së MacDonald-it, kjo tokë është shndërruar tashmë në tokë kujtese, që secilën herë e më shumë po komodifikohet për treg, duke patur humbje autenticiteti e duke përndjell edhe një lloj falsiteti.

Duhet theksuar menjëherë se ajo nuk hyn të shqyrtojë histori specifike të trashëgimisë specifike evropiane, por prek nëpër sipërfaqe të landskepit trashëgimor evropian, duke dhënë ndonjë kritikë aty-këtu. Ajo bazohet kryesisht në literaturë dytësore, nga fusha e sociologjisë, antropologjisë e historisë, duke përdorur koncepte e argumente të ndryshme, si është ai i Eric Hobsbawm-it për “traditat e shpikura”. Por, shpeshherë argumentet i përdor pa pasur një dozë dyshimi a kritike, por duke u abonuar krejtësisht në mënyrë në to. Kur flet për “shpikjen e traditës” dhe “përzgjedhjen e traditës” gjatë komunizmit në vendet e Evropës Lindore, si mënyrë e instrumentalizimit të traditës, ajo sjell një argument solid me evidenca të mjaftueshme. Por, nuk hyn ta diskutojë më tutje këtë koncept, në aspektin antropologjik dhe historiografik. Megjithatë, kjo është udha e shkurtër që ajo ka zgjedhur në këtë interpretim.

Në kapitulli e dytë analizon dallimet apo diferencimet historiografike, ku mbretëron diskursi metahistorik dhe ai mikrohistorik. Ajo citon një mori antropologësh si David Sutton,Vieda Skultan, Michael Herzfeld e të tjerë, që kanë vrojtuar shprehjen dhe objektivimin e kujtesës nëpër fshatëra të ndryshme evropiane, ku vërehet se si e kaluara bëhet pjesë esenciale e së tashmes aktuale. Sipas saj, ekziston edhe një laramani narracionesh për të kaluarën, që ndërlidh vetëdijen komunitare nëpër cepa të ndryshëm të Evropës, ku secili jep historinë e tij për të afirmuar përkatësinë autenticitetin dhe identitetin e tij. Pra, ekziston një sfidë e njohjes dhe interpretimit të shtresave “multitemporale” të kujtesës evropiane, që është mjaft e madhe për antropologun.

Kapitulli mbi komodifikimin dhe autenticitetin lexohet më shumë si një përmbledhje e studimeve mbi këtë fushë, se si një interpretim autorial që mësyhet nga një pyetje hulumtuese teorike apo empirike. Megjithatë, kapitulli shërben si kallxor përkujtues i shkrimeve kryesore në këtë temë: se si blihet dhe shitet ajo që konsiderohet “ngjyra lokale” apo “identiteti lokal”, si për treg e turizëm ashtu edhe për promovim të vendin në përgjithësi. Në këtë vazhdë, MacDonald jep pasqyra interpretimesh të temave të ndryshme dhe ndër më inspirueset me siguri se del ajo mbi “muzealizimin” e jetës së përditshme në horizonin evropian. MacDonald flet edhe për trashëgiminë transkulturore, për provokimet e ndryshme artistike në kuadër të debatit mbi trashëgiminë evropiane dhe joevropiane e me radhë. Po ashtu diskutimi i saj është cytës edhe për kujtesën kozmopolitane, të cilën ajo e sheh në kontekst të materializimit dhe praktikës së mbamendjes për holokaustin në Gjermani.

Libri ta jep ndjenjën se është një përmbledhje e disa ideve kryesore mbi trashëgiminë kulturore dhe ndjenjën e përkatësisë, duke i interpretuar ato mbi idetë e vjetëra në korpusin e studimeve antropologjike e sociologjike dhe duke i përçuar ato nëpër disa raste të caktura të monumentalizimit të kujtesës në Evropë. Por, libri nuk përçon ndjenjën e gërshetimit mes evidencës origjinale empirike dhe koncepteve esenciale mbi trashëgiminë, sa pritet të jap një libër me një titull të tillë. Megjithatë, stili i shkrimit tregon se ky libër synon të hapë shtegun e lavërimit të një fushe metakritike në antropologjike: diskutimit e kompleksit të kujtesës në Evropë. Pa dyshim, në këtë mësymje është e natyrshme të dalë njëlloj hipertekstualizimi i argumenteve dhe rrallkush mund t’i ikë. Në raste të caktuara, sidomos kur diskuton qasjet e ndryshme antropologjike në kontekst të studimit të kujtesës, interpretimi i saj del pedagogjik, sikur të ishte një ftesë për studentë të shkencave shoqërore. Për shembull, në kapitull “Ta ndjesh të kaluarën: mishërimi, vendi dhe nostalgjia”, Macdonald jep një përmbledhje të qasjeve antropologjike në studimin e kulturës materiale duke përmendur fenomenologjinë, semiotikën, studimet e reja të kulturës materiale, etj. Madje aty vërehet një vizatim i saj në vija mjaft të trasha, sa që lexohet edhe si tejthjeshtësim. Edhe pse ajo thekson se në atë kapitull synimi i saj është të tregojë se kujtesa nuk “ndodh vetëm në kokë”, por distribuohet edhe në praktikë, materiale, trup e interaksione me tjerët, interpretimi i saj është mjaft skicor. Kjo ka ndodhur për faktin se evidencat e hulumtimit janë krejt të pakëta për argumente të tilla, sepse ka shpërputhje mes dozës së argumentimit dhe sasisë së evidencës së hulumtuar.

Edhe kur ajo jep disa citate të studimeve të autorëve tjerë për konceptet e temat e caktuara, ato citohen kryesisht për të sforcuar argumentin mbi konceptin, e jo për të krijuar pasqyrë paralele krahasuese. Për shembull, nuk kemi asnjëherë ndonjë pyetje krahasuese të tipit, pse në Evropë kemi kaq shumë "muzealizim” të jetës shoqërore të përditshme? Pra, kur flitet për temën, duket se ka më pak trajtime tematike se sa “recension” të studimeve tjera.

Fakti se ajo ka shfrytëzuar literaturën edhe në gjuhët tjera, sidomos në gjuhën gjermane, e bën këtë interpretim më të frytshëm dhe më të hapur dhe ia shton edhe vlerën. Dhe, njohja e literaturës në gjuhën gjermane, frënge dhe italiane, është mjaft e rëndësishme për të diskutuar për një temë kaq të thellë e të gjerë si kjo që Sharon Macdonald e ka rrokë në këtë libër.

Ky libër iu ka shtuar një mali librash mbi kujtesën, por në vetvete ana unike e librit është se merret me mënyrën se si kujtesa është bërë preokupimi kryesor i evropianëve në dekadat e fundit. Andaj, duket se do të mbetet një guidë e mirë e koncepteve për studimin antropologjik të trashëgimisë kulturore, sidomos monumentalitetit arkitektonik në Evropë.

Arsim Canolli, 10 gusht 2019