Ndahet nga jeta regjisori shqiptar Gjergj Xhuvani

Ndahet nga jeta regjisori shqiptar Gjergj Xhuvani

Kultura August 15, 2019 - 09:02
Lexo më shumë detaje

 

Të mërkurën ka vdekur në moshën 56-vjeçare regjisori shqiptar Gjergj Xhuvani. Lajmi i bë i ditur më 14 gusht nga mediet në Shqipëri. Xhuvani ishte një regjisor, skenarist, e producent shqiptar. Ai ka ndërruar jetë ditën e sotme në një spital në Romë.

Gjergj Xhuvani u lind në vitin 1963 në Tiranë, derisa kishte diplomuar më 1986-n në Akademinë e Arteve në Tiranë, në Degën e Arteve Dramatike.

Që nga viti 1986 deri në vitin 1990 punoi si asistent-regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë "Bardh e zi". Këtë vit pritej edhe premiera e filmit të tij të ri “Liqeni im”. Ai ishte gjithashtu autori i filmave të suksesshëm pas viteve të ’90-ta, ndër të cilët “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”.

Qendra Kinematografike e Kosovës ia ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Xhuvani, filmbërësve dhe të gjithë admiruesve të tij. “Është humbje e madhe për kinematografinë shqiptare dhe evropiane ikja kaq e hershme e Xhuvanit. Do ta kujtojmë si një njeri të mrekullueshëm, si mik të madh dhe si artist të përmasave globale”, u shpreh drejtori i QKK-së, Arben Zharku.

Mediet në Shqipëri patën shkruar kohë më parë se filmi “Liqeni im”, premierën e të cilit Xhuvani nuk e priti, tregon historinë e një djaloshi të shkathët, të quajtur Kristo. I ulur në bankën e tij në klasë, mendon për kuptimin e fjalisë “Liqeni im”, të shkruar në tabelë nga mësuesi i tij. “Liqeni mund të na japë të gjitha, nëse ne dimë se si ta pyesim”, shkruan Kristo. Ai pastaj shikon nga dritarja dhe kujton ngjarjet të cilat kanë ndodhur në muajt e fundit. Djaloshi jeton në një fshat afër Liqenit të Prespës, një lumë i ndarë në tri shtete: Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi.

Rikujtojmë së filmi i fundit që Xhuvani realizoi kishte për temë luftën e Kosovës. Ky film flet për marsin e vitit 1999, kohën kur NATO-ja bombardonte në Kosovë. Eksodi shqiptar filloi gjatë kësaj kohe. Terrori, frika, pasiguria dhe uria e pushtuan sidomos Gjakovën, që ishte në kufi me Shqipërinë.

Narracioni i tregimit është ndërtuar me situata logjike dhe me momente humori, erotizmi, që në njëfarë mënyre largon rrethanat e vështira që kanë ekzistuar në këtë kohë. Filmi zhvillohet në dy vija paralele, që mandej ndryshojnë dhe lidhen me kërcënimin, ku në fund të gjithë protagonistët e filmit tregojnë fatin e tyre.

Përveç si regjisor e si skenarist, Gjergj Xhuvani pati edhe dy role si aktor tek “Edhe ne luftuam” (1981) dhe te “Hije që mbeten pas” (1985).