'Shota' rrëmben vendin e dytë në Turqi

'Shota' rrëmben vendin e dytë në Turqi

Kultura gusht 07, 2019 - 09:58

Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” ka arritur ta rrëmbejë çmimin e dytë në festivalin më të madh të folklorit në botë “Büyükçekmece Kulture ve Sanat Festivali” (Festivali Ndërkombëtar i Kulturës dhe i Arteve) në Turqi. Suksesi nuk i ka munguar ndër vitesh ansamblit “Shota”, në vitin 2013 ky ansambël kishte fituar çmimin e dytë në këtë festival, shkruan sot gazeta "Zëri".

Siç vlerësohet, këtij edicioni nuk i ka munguar edhe konkurrenca, në njoftim për medie që është bërë në emër të këtij institucioni shkruhet se në një konkurrencë dukshëm më të fortë “Shota” është vlerësuar, kjo për faktin se në edicionin jubilar të 20-të të këtij festivali këtë çmim e ka marrë në garën ku kanë konkurruar 28 shtete nga mbarë bota.  “Duke marrë parasysh se Ansambli ka udhëtuar në Turqi, me disa mungesa në orkestër dhe me grupin e valltarëve, ky është sukses shumë i madh edhe për faktin që në këtë festival kanë garuar shtete me ansamble shumë serioze nga Rusia, Gjeorgjia, Ukraina, Bullgaria, Spanja, Serbia, Kroacia, Hungaria, Panamaja, India etj”, shkruhet në njoftimin për medie.

Mësohet se vendin e parë dhe çmimin “Ura e Artë” e Mimar Sinanit e kanë ndarë dy ansamble nga Rusia dhe Hungaria, ndërkaq vendin e tretë e ka fituar ansambli nga Gjeorgjia. Krahas plaketës së argjendtë, për vendin e dytë Ansambli ka marrë edhe shpërblim material në vlerë prej 2000 dollarësh amerikanë.

Festivali i Folklorit dhe i Arteve në Buyukçekmece organizohet nën patronazhin e dy organizatave më të mëdha të folklorit në botë: CIOFF dhe FIDAF dhe të kryetarit të komunës së Buyukçekmeces Hasan Akgun. Ky festival shtatë herë është shpallur festivali më i mirë i folklorit në botë. Se sa i rëndësishëm është ky festival tregon fakti se në të, krahas garës së folklorit, janë organizuar edhe tri gara tjera paralele: Gara e fotografisë artistike, gara e vallëzimit kontemporan dhe gara e skulpturës prej druri. Gjithsej shtete pjesëmarrëse, në të gjitha garat, ishin 71 vende nga mbarë globi. Festivali është  mbajtur nga data 26 korrik deri më 3 gusht. Motoja e këtij edicioni ishte: “Dashuri për njëri-tjetrin, paqe për të gjithë” (Love For Each-Other, Peace For All).

Tutje ky festival është konsideruar si i rëndësishëm për faktin se organizatori i kushton një kujdes të veçantë organizimit të festivalit, ku nuk ka munguar marketingu i jashtëzakonshëm, jo vetëm në qytetin ku ai zhvillohet, por edhe në Stamboll dhe qytete tjera të Turqisë.

“Në hapje të festivalit kanë marrë pjesë shumë deputetë të parlamentit turk dhe kryetarët e 5 komunave më të rëndësishme të Turqisë, në mesin e të cilëve edhe Ekrem Imamogllu, kryetar i porsazgjedhur i Stambollit. Pastaj të gjitha aktivitetet e festivalit, janë transmetuar drejtpërdrejtë në kanale të ndryshme televizive të Turqisë”, njoftohet përmes komunikatës.

Krahas pjesëmarrjes në garë të folklorit, mësohet se ansambli “Shota” është nderuar edhe me praninë në disa aktivitete sociale, në njërin nga të cilët (Inaugurimi i një linje detare nëpër Bosfor), me kërkesë të kryetarit të komunës, Akgun, “Shota” ishte ansambli i vetëm pjesëmarrës, i ftuar për përformancë.Zëri