“Anibar”-i mbyll me shpresë edicionin e 10-të

“Anibar”-i mbyll me shpresë edicionin e 10-të

Kultura July 23, 2019 - 10:21

 

Për të dhjetën herë në Pejë u mbajt festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar”. Disa ekrane u ndezën nga 15 – 21 korriku në qytetin e Pejës, për të shfaqur rreth 300 filma të ndarë në programe të ndryshme. E krahas filmave, java në Pejë ishte intensive edhe me punëtori, konferenca e mbrëmje muzikore. Në mbyllje të festivalit “Anibar”-i shpërbleu edhe më të mirët e këtij edicioni.

Në Kategorinë e Filmit më të Mirë të Animuar Ndërkombëtar fitues është shpallur filmi “And Then the Bear”, nga Agnès Patron. Një falënderim special u dha për filmin “I’m Going Out for Cigarettes”, nga Osman Cerfon dhe “Egg”, nga Martina Scarpelli.

Garën për Kategorinë e Studentëve e fitoi filmi “Applesauce”, nga Alexander Gratzer, kurse falënderime speciale pati për “Hide N Seek”, nga Barbora Halíëová. Nga kategoria e Filmit më të Mirë të Metrazhit të Gjatë fitoi “The Tower”, nga Mats Grorud, kurse garën për Filmin më të Mirë të Ballkanit e fitoi “Imbued Life”, nga Thomas Johnson dhe Ivana Bosnjak. Një falënderim special për “N’korniz”, nga Gëzim Ramizi. Filmi muzikor i animuar më i mirë u shpall “Siamés – Mr. Fear”, nga Pablo Rafael Roldán dhe Ezequiel Torres. “Çmimi i Publikut” iu dha “Toomas Beneath the Valley of the Wild Wolves”, nga Chintis Lundgren.

Juria kryesore e Festivalit që përzgjodhi fituesit në katër kategori ishte në përbërje të: Koji Yamamura, Agotta Vegso, Annette Schinlder, Jeremiah Dickey dhe Lise Fearnley. Ndërsa filmin më të mirë të studentëve e ka vlerësuar juria në përbërje të: Hana Arapit, Jon Mithit, Lum Radoniqit, Qëndrim Spahijës e Rigon Kurteshit.

Çdo vit “Anibar”-i u jep vëmendje temave të caktuara e sivjet organizatorët kanë vendosur të flasin për frikën dhe për shpresën. Sipas organizatorëve, “Anibar”-i në edicionin e dhjetë të festivalit u shndërrua në hapësirë për ballafaqimin me ndryshimet.

Rikujtojmë se “Anibar”-i organizohet nga organizata me të njëjtin emër, që është një organizatë e formuar nga një grup i të rinjve aktivë dhe artistë, të cilët kanë dëshmuar entuziazmin dhe vizionin e tyre për të promovuar kulturën e filmit të animuar në tetë edicionet e fundit të festivalit, gjithashtu duke demonstruar kapacitetet e zhvilluara për të organizuar ngjarje të mëdha. “Anibar”-i ka investuar në kapacitetin e zhvillimit të rinisë dhe të fëmijëve nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, debateve dhe të aktiviteteve të tjera që u mundëson gjithë artistëve ballkanikë të rrisin dukshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare. ZERI