Filozofia e jetës dhe e politikës (1)

Filozofia e jetës dhe e politikës (1)

Kultura July 22, 2019 - 10:12
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Adem Demaçit (26 korrik 2018)

 

Adem Demaçi 

Të shohim kalimthi se çfarë kuptimi ka vetë fjala filozofi. “Filo” në greqishte ka kuptim simpatizues, dashamirës. Te ne edhe sot dëgjohen shprehjet “Grekofil”, “Rusofil” e “Anglofil”. Kjo shprehje u mveshët atyre që i duan grekët, rusët, anglezët etj. Fjala prapë rekë “Sofos”, ose “Sofia”, si i themi ne, ka kuptimin e dijes. Në kombinim del dashamirës i dijes. Pra fjala filozof, si e përdorim ne e shumë popuj tjerë të botës, ka kuptimin e dashamirit të dijes. Disa mund të pyesin: Ç’i duhet filozofia gazetarit? Ky qëndrim e ky dyshim është kryekëput i pavend. Gazetaria është zanat intelektual dhe ka të bëjë me jetën, me botën dhe me njerëzit si faktorë të rëndësishëm të planetit tonë. Pikërisht për këtë për gazetarët njohja e filozofisë, njohja e jetës, njohja e botës, njohja e zhvillimit të mendjes njerëzore dhe njohja e zhvillimit të shoqërisë njerëzore kanë rëndësi thelbësore.

Nuk mjafton vetëm të dish të shkruash sipas rregullave të thata të gazetarisë. Shumë më e rëndësishme është se çfarë veprimi ka shkrimi ynë, çfarë porosie ka shkrimi ynë dhe se e sa mund t’u ndihmojë njerëzve shkrimi ynë. Është me rëndësi thelbësore që shkrimet tona ta përparojnë, ta përsosin, ta hijeshojnë dhe ta bëjnë të gëzueshme jetën e njerëzimit.

Ç’është jeta?

Për jetën ka shumë e shumë definicione. Por për këtë moment dhe në bazë të dijes që kam tash më duket me vend të them se jeta është gjithçka që shfaqet duke lindur, duke zhvilluar, duke zgjeruar dhe duke zhdukur në gjithësinë tonë. Kjo që thashë: “gjithçka” përbëhet prej faktorëve, të cilët janë të pandryshueshëm dhe prej faktorëve të ndryshueshëm. Faktorë të pandryshueshëm të jetës në gjithësi janë kuantet.

Ç’janë kuantet?

Kuantet janë grimca-valët më të vogla, më të imta dhe më të pandashme të energji-informatave. Kur gjeniu njeri arriti që të zbërthente atomin dhe të lirohej nga robëria e materies, që mund të konstatohet vetëm me anën e pesë shqisave të veta, atëherë ky njeri u gjet në pjesën e antimateries së gjithësisë. Kjo antimaterie përbëhet nga kuantet. Ekzistenca e kuanteve nuk mund të provohet me anën e pesë shqisave të njeriut dhe as nuk mund të maten e të ndalohen me kurrfarë mjetesh a instrumentesh. Kuanti është faktor i pandryshueshëm i gjithësisë dhe i jetës.

Ç’është procesi?

Procesi është ndërveprimi midis dy ose më shumë faktorëve. Procesi i shkrimit të një artikulli ose të një lajmi është shumë më i ndërlikuar dhe më i rëndë. Këtu janë në ndërveprim të përbashkët dija për të shkruar lajme, si faktori më i rëndësishëm, lapsi dhe letra; ose dija për të shkruar lajme, makina e shkrimit dhe dija për të përdorur makinën e shkrimit dhe letra; ose dija për të shkruar lajme dhe kompjuteri e dija për të punuar me kompjuter etj.

Ç’është mendja?

Prapë me anën e mendjes dinamike kemi zbuluar se mendja ose intelekti është rrjet i posaçëm energjetik e informatik ose kuantik, me të cilin është pajisur vetëm njeriu.

Me anën e mendjes njeriu përjeton, në mënyrë subjektive, gjithësinë, e cila gjithashtu është tërësi e pafund energjetike e informatike ose kuantike. Njeriu, falë mendjes ose intelektit të vet, përjeton gjithësinë duke shfaqur mendimet, ndjenjat, dëshirat e synimet e veta. Mendimet, ndjenjat, dëshirat e synimet tona, pra përjetimet tona subjektive të gjithësisë, as nuk shihen, as nuk preken, as nuk dëgjohen, as nuk shijohen e as nuk nuhaten. Pra, pesë shqisat tona janë të pafuqishme që të depërtojnë në sferën e mendimeve, të ndjenjave, të dëshirave e të synimeve tona.

Ç’është dija?

Edhe për dijen ka definicione të panumërta. Një definicion, fort i pranuar, thotë se dija është aftësia për të parashikuar të ardhmen. Por në bazë të dijes që disponoj në këtë moment mendoj se dija është njohja e thelbit ose e esencës së të gjitha forcave, objekteve dhe fenomeneve që na imponohen e që na rrethojnë. Zgjerimi i njohurive varet nga prirjet e trashëguara përmes gjeneve dhe nga rrethi ku lindet, rritet e edukohet individi i caktuar.

Ç’është vetëdija?

Vetëdija, ç’fjalë e mrekullueshme shqipe! Por këtë fjalë nuk duhet ngatërruar me atë fjalën e thjeshtë të përditshme ku kemi të bëjmë me situatat kur njerëzit për shkak se u bie të fikët humbin vetëdijen. Ose pasi që këndellën u kthehet vetëdija. Në përdorimin tonë kjo fjalë ka kuptimin e fjalës së huaj “Koshiencë”, ose edhe të fjalës tjetër shqipe ndërgjegje. Vetëdija pra është dija e përvetësuar, dija e asimiluar, dija e metabolizuar. Nuk mjafton, për shembull, njeriu të thotë se e di që shëndeti është themeli i lumturisë. Nëse njeriu, me mendjen e vet, me mënyrën e ushqimit të vet dhe me sjelljet e veta, e dëmton shëndetin e vet, ai në të vërtetë nuk e di se shëndeti është themeli i lumturisë. Nëse atë që ai thotë nuk e zbaton në jetë, atëherë kjo do të thotë se ajo dije nuk është përvetësuar nga ai, por është dije jashtë vetes së tij.

Vetëdija kombëtare

Dija që përvetësohet e zbatohet në frymën e vënies së interesave kombëtare përpara e mbi interesat individuale, familjare, grupore, fisnore, krahinore, fetare ideologjike a partiake është vetëdija kombëtare. Kjo nënkupton marrjen përsipër dhe kryerjen sipas aftësisë së çdo detyre që është në funksion të ruajtjes, mbrojtjes e forcimit të kombit.

Kombi ruhet më së miri duke frenuar dhe duke pamundësuar lakmitë e ambiciet e padrejta të kombeve tjera ndaj nesh, por njëkohësisht edhe duke frenuar e pamundësuar ambiciet e lakmitë tona të padrejta ndaj kombeve tjera.

Vetëdija demokratike

Vetëdija demokratike është dija e përvetësuar, e cila përkrah ose i nënshtrohet vullnetit të shumicës së qytetarëve për të ushtruar pushtetin politik ose për të marrë vendime lidhur me interesin kolektiv. Përndryshe, fjala demokraci vjen nga fjalët greke “Demos”, që do të thotë popull dhe “Kration” ose “Kraci”, që do të thotë pushtet.

Vetëdija qytetare

Për shkak se ishim, por për një kohë tepër të gjatë, të privuar nga dija e plotë dhe e vërtetë, edhe vetëdija jonë përparoi me ritme shumë të ngadalshme. Prandaj në shumë drejtime sa i takon vetëdijes jemi të vonuar. Ende nuk kemi arritur shkallën e duhur të vetëdijes kombëtare e neve na imponohet nevoja e krijimit të vetëdijes qytetare. Populli ynë, duke qenë kohë të gjatë i shtypur, i ndjekur e nën dyshim nga pushtues të ndryshëm, e ka të vështirë që, sa çel e mbyll sytë, të harrojë të kaluarën e vet tepër të hidhur dhe të jetë i afërt ndaj pjesëtarëve të kombeve pushtuese, që na shtypën me dhunë të egër, ose ndaj pjesëtarëve të grupeve etnike, që mbanin anën e pushtuesve.

(Marrë nga një prej 40 veprave të zgjedhura të Adem Demaçit, të cilat janë duke u përgatitur nga SHBPK-ja, IAP-ja, IHK-ja dhe LSHK-ja. Përgatit për shtyp: Selatin Novosella)