Nga 1999-a në 2019-n, prej objektivit të Rekës në brushat e artistëve

Nga 1999-a në 2019-n, prej objektivit të Rekës në brushat e artistëve

Kultura korrik 20, 2019 - 09:23
Lexo tjera detaje
Image

Ekspozita me titull “99-19” është një projekt më tepër që iu shtua karrierës së fotografit të mirënjohur kosovar Hazir Reka. Megjithatë mund të themi se kjo ekspozitë e hapur në Galerinë e Arteve në Ferizaj është më e veçantë se gjithë të tjerat. Jo vetëm për faktin se u hap në Ferizaj, në vendlindjen e fotografit, por edhe për faktin se krahas fotografive u gërshetua me piktura, shkruan gazeta "Zëri".

Siç tregoi për “Zërin” fotografi Reka, ekspozita e hapur në kuadër të festivalit “Mural Fest” ka lindur si ide pas një punëtorie të mbajtur me disa artistë të rinj, kryesisht të lindur pas vitit 1999. Kësisoj ekspozita “99-19” u ilustrua me fotografi që Reka i ka shkrepur gjatë kohës së luftës, si dhe të njëjtat fotografi, por të pikturuara nga artistët e rinj, nxënës të shkollës së arteve “Çesk Zadeja” në Ferizaj. Kjo ekspozitë është përkrahur nga qendra “Multimedia” në Prishtinë. Fotografitë e përzgjedhura për të qenë pjesë e kësaj ekspozite kryesisht japin pamje nga eksodi, shpërngulja e ikja nga shtëpitë. Shumë prej tyre janë shkrepur nga dritarja e autobusit a trenit dhe në sytë e personazheve të kapura shihet vetëm dhimbja e madhe e frika.

E veçantë e shumicës së këtyre fotografive është se ne to njerëzit shihen me koka të kthyera kah katundi, qyteti ose nga shtëpia e tyre. Në ato portrete shihet se sa të pambrojtur ishin njerëzit e sa të tmerruar. Kryesisht pleq, gra e fëmijë, që nuk e dinin se a do të ktheheshin më në shtëpitë e tyre.

Fotografi Reka shprehet i kënaqur me mënyrën se si artistët e rinj kanë arritur të nxjerrin në pah përmes pikturës pikërisht elementet kryesore të fotografive të tij. “Me aq sa kam vërejtur, realizimi i punimeve është jashtëzakonisht i mirë”, ka thënë Reka. Për të është shumë i rëndësishëm fakti që përmes fotografive dhe pikturimit të tyre nxënësit dhe artistët e rinj kanë arritur të mësojnë më tepër për historinë e Kosovës dhe për të gjitha përjetimet e kosovarëve. Kjo nuk është hera e parë që Hazir Reka ekspozon fotografitë e tij të luftës.

Në vitin 2014 fotografi Reka prezantoi në Galerinë Kombëtare të Kosovës një ekspozitë shumë përmbajtjesore, që trajton pikërisht luftën e kosovarëve për liri. Nën titullin “Çasti i gozhduar”, ekspozita që ishte kuruar nga kuratori Nikola Solic paraqiti kronologjikisht historinë, që nga përpjekjet e para për kryengritje, dëbimet, luftën, përndjekjen, vrasjet si dhe në fund, si qershi mbi tortë, 17 Shkurtin e vitit 2008, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Karrierën e tij si fotoreporter Reka e filloi në vitin 1984, duke punuar për mediet ditore, që shtypeshin asokohe në Kosovë e duke përfshirë edhe “Zërin”. Në vitin 1998 ai nisi bashkëpunimin me agjencinë ndërkombëtare “Reuters”. Asokohe ai përcillte për këtë agjenci protestat që organizoheshin në Prishtinë.

Hazir Reka vazhdon edhe sot të jetë prezent me fotografitë e veta në të përditshmet e Kosovës, por edhe në medie ndërkombëtare. Përpos luftës, edhe Dita e Pavarësisë e kishte gjetur me aparat në duar. Ky është një tjetër moment historik, që Reka ka pasur fatin ta dokumentojë. Kohëve të fundit ai është përqendruar në aspektin më artistik të fotografisë, ndërsa deri tani fotografitë e tij janë ekspozuar në Kosovë, në rajon e në shumë vende të botës, duke përfshirë Austrinë, Francën, Belgjikën etj. Fotografitë e tij janë përdorur edhe për të ilustruar disa libra. Hazir Reka ka botuar edhe një libër me fotografi “Ecje në errësirë – Kosova 1988-1990”./ZËRI