Paqe e vëllazëri, mesazhi që përçoi Filarmonia në shesh

Paqe e vëllazëri, mesazhi që përçoi Filarmonia në shesh

Kultura June 27, 2019 - 10:07
Lexo më shumë detaje
Image

Në kuadër të aktiviteteve “20/20” të Komunës së Prishtinës për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës ditën e mërkurë sheshi “Skënderbe” ka mirëpritur “Simfoninë nr. 9” të kompozitorit Ludwig van Beethoven të Korit dhe të Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

Në qendër të qytetit u mirëpriten 110 instrumentistë të Filarmonisë së Kosovës, por edhe instrumentistë nga Shqipëria dhe nga Maqedonia e Veriut, katër vokalistë, sopranoja Arta Jashari, mexosopranoja Vikena Kamenica, tenori Liridon Sadriu dhe baritoni Armando Likaj, ndërsa dirigjent ishte Toshio Yanagisawa, aktualisht drejtor artistik i Orkestrës Kamerale Ballkanike dhe dirigjent permanent i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

Në konferencën për medie, që i parapriu koncertit, Adrian Berisha në emër të Komunës së Prishtinës u shpreh falënderues për bashkëpunimin në mes të Komunës së Prishtinës dhe Filarmonisë së Kosovës. “Për ne është kënaqësi, nder dhe privilegj, si për mua personalisht edhe për Komunën e Prishtinës që zhvillojmë një aktivitet të tillë, i cili përçon një mesazh të paqes mes popujve dhe normalisht është njëra nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman”, u shpreh Berisha.

Drejtori i Filarmonisë, Baki Jashari, theksoi se kanë pritur një datë të veçantë si kjo e 20-vjetorit të Çlirimit për ta sjellë këtë vepër të Beethovenit para publikut kosovar. “Filarmonia e Kosovës ka vite që ka menduar që veprën madhështore të kompozitorit Beethoven ‘Simfoninë nr. 9’ ta realizojë në një rast të veçantë dhe e kemi parë të arsyeshme pikërisht vitin 2019 në 20-vjetor ta shpalosim këtë vepër për herë të parë premierë në Kosovë. Kjo vepër grandioze do të thosha interpretohet jo vetëm premierë e Filarmonisë, por premierë e të gjitha kohërave, meqë asnjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka pasur kapacitete interpretative orkestra dhe kore qysh i kemi tani për të realizuar këtë vepër”, deklaroi Jashari.

Ai njoftoi se Komuna i ka ndihmuar në aspektin logjistik, legjislativ dhe në vendosjen e një skene madhështore.

“Koncerti realizohet me pjesëmarrjen e Korit të Filarmonisë me ndihmë të instrumentistëve nga Shqipëria dhe nga Maqedonia, është një vepër shumë e madhe që kërkon shumë performues në skenë. Likaj e Kamenica janë dy emra të mëdhenj të skenës shqiptare të operës, njëkohësisht ne e realizojmë një bashkëpunim ndërshtetëror institucional në kuadër të kalendarit kulturor. Së fundmi është një vepër që zgjat afro 70 minuta pa ndërprerje”, shprehet Jashari.

Ai më tutje foli edhe për titullin tjetër që ka “Simfonia e Nëntë” e Beethovenit, e cila është “Oda e gëzimit”, një vepër që vlerësohet se dallon nga të gjitha simfonitë paraprake që është shkruar deri në shekullin e 19-të.

“‘Të gjithë njerëzit janë vëllezër’, tregon qartë për shpirtin dhe për largpamësinë e Beethovenit, që përmes kësaj vepre përçon mesazh paqeje qysh në shekullin e 19-të. Kjo vepër më së miri përçon mesazhin në Kosovë dhe përtej saj. Të jetojnë dhe të veprojnë në paqe, gjë që është edhe interesi ynë për këtë vepër”, përfundon fjalën e tij Jashari.

Mexosopranoja Vikena Kamenica u shpreh e lumtur që vjen për herë të dytë në performancë me Filarmoninë e Kosovës. Ajo tha se vepra vjen në kohën e duhur në këtë përvjetor të rëndësishëm për Kosovën, pasi edhe “Simfonia nr. 9” simbolizon lirinë.

“Është njëra nga veprat që në radhë të parë simbolizon lirinë, fitoren dhe normalisht botërisht është njëra nga veprat kryesore që shtetet e mëdha i kanë realizuar për një simbolikë të fortë. Për ta nxjerrë nga dyert klasike që janë sallat e teatrit”, u shpreh Kamenica, e cila ka vlerësuar se është bukur që realizohet në një shesh me simbolikë të madhe siç është sheshi “Skënderbe”.

“Pa dyshim çdo gjë është e menduar, nuk është rastësore dhe pritja është e jashtëzakonshme për të pasur një koncert ashtu siç e meriton kjo ditë e veçantë, ky vit i veçantë dhe fundja siç e meritojnë vlerat që ky shtet ka pa diskutim”, tha Kamenica.

Baritoni i Operës së Artit dhe të Baletit të Tiranës, Armando Likaj, tha se është bërë “si i shtëpisë në Kosovë” dhe me shumë përzemërsi ai falënderoi Filarmoninë dhe drejtorin e saj që e ka bërë pjesë të veprave, të cilat ai i vlerëson si madhështore.

“Për më tepër, ndihem e privilegjuar që jam pjesë në rastin konkret të këtij festimi të çlirimit të Kosovës me një vepër që në gjithë botën në repertorin e muzikës klasike përfshihet me nota të forta patriotizmi. Vetë teksti i Schilerit tregon për një vëllazërim, mesazh që çdo popull e sidomos ata popujt që nuk kanë shumë kohë që kanë dalë nga një luftë dhe kërkojnë gjënë më të madhe të kësaj bote, pra paqen”, thekson Likaj, i cili thotë se mbetet me shpresën që politikanët të sjellin një shikim më të drejtpërdrejtë për vëllazërimin, që në art e kudo në botë mundohemi më së shumti të bëjmë.

Toshio Yanagisawa, dirigjent i këtij koncerti, ka theksuar se në skenë po vënë një vepër shumë të veçantë, për të cilën ai thotë se është i lumtur që do ta dirigjojë. “Jam vërtet shumë i nderuar të dirigjoj këtë koncert, veprën ‘Simfoninë nr. 9’ të Beethovenit. Kam ardhur këtu në vitin 2007 dhe tani janë bërë 12 vjet të bashkëpunimit me Filarmoninë e Kosovës. Së bashku kemi realizuar shumë premiera dhe performanca të tjera”, tha ai. Toshio Yanagisawa aktualisht është drejtor artistik i Orkestrës Kamerale Ballkanike dhe dirigjent permanent i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. ZERI

Image