Libri i javës - “Krimi kibernetik” nga Misha Glenny

Libri i javës - “Krimi kibernetik” nga Misha Glenny

Kultura June 24, 2019 - 09:59
Lexo më shumë detaje

 

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Krimi kibernetik” ose “Si u bënë hakerët mafia e re?”, nga Misha Glenny. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” dhe është përkthyer nga Eurisa Rukovci.

Në këtë libër magjepsës dhe bindës Misha Glenny, autori i librit ndërkombëtarisht të njohur “McMafia”, zbulon tri kërcënimet themelore me të cilat përballemi në shekullin njëzetenjë; krimin kibernetik, luftën kibernetike dhe spiunazhin industrial kibernetik. Qeveritë dhe sektori privat po humbasin miliarda dollarë çdo vit duke luftuar kriminelët super të mençur, gjithnjë të ndryshueshëm dhe gjithnjë të padukshëm: hakerët.

Rezultati i këtij libri është thjesht i pamohueshëm: Ky libër është jashtëzakonisht tërheqës dhe i besueshëm. Është libër i domosdoshëm për t’u lexuar nga kushdo që përdor kompjuter, pra është libri kryesor i krimit të kohës sonë.

Roberto Saviano, autor i librit “Gomorra”, e konsideron librin “Krimi kibernetik” nga Misha Glenny si shumë të nevojshëm. “Ky libër jashtëzakonisht i fuqishëm tregon se sa shumë na mungojnë mjetet ndërkombëtare të përbashkëta, aq të nevojshme për të luftuar krimin kibernetik. Lexim i nevojshëm”, ka deklaruar Roberto Saviano.

Autori i këtij libri, Misha Glenny, është një gazetar britanik, i specializuar në Evropën Juglindore për krimin e organizuar global dhe për sigurinë kibernetike. Glenny jetoi në Britani deri para se të bëhej korrespondent i Evropës Qendrore për “The Guardian”-in dhe më vonë edhe për BBC-në. Ai raportoi për luftërat jugosllave në fillim të viteve 1990, që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë. Ndërsa në BBC Glenny fitoi “Gold Sony” të vitit 1993 për “Kontributin e tij të shquar në transmetim”. Ai botoi tre libra rreth Evropës Qendrore dhe Lindore.

Librin “Krimi kibernetik” ose “Si u bënë hakerët mafia e re?” nga Misha Glenny mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” për 9 euro.