“Bëhu fytyra ime”, në Muzeun e Kosovës

“Bëhu fytyra ime”, në Muzeun e Kosovës

Kultura June 21, 2019 - 09:53
Lexo më shumë detaje

 

Muzeu Kombëtar i Kosovës ditën e mërkurë në bashkëpunim me Eliza Hoxhën ka organizuar ekspozitën “Bëhu fytyra ime”.

Me këtë ekspozitë u shënua 19 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Ekspozita ka paraqitur korniza të zbrazëta xhami me rrëfime e thënie të të mbijetuarve të dhunës seksuale, ku vizitorët ftohen për t’i përfytyruar këto tregime sikur e njëjta gjë të ndodhte me ta. “Zëri i tyre i mekur, i hidhëruar dhe i padëgjuar ishte lënë në harresë. Kemi pasur mundësi të gjithë ne që të flasim e të komunikojmë me këto gra pa e ditur që ato po tregojnë, ndoshta jo me gojë e me zë, por me gjeste e me mimika historinë e tyre. Sot po i japim fund neglizhimit, duke u bërë ne të gjithë fytyra e këtyre grave”, ka thënë në hapje Feride Rashiti, nga Qendra Kosovare për Rehabilitim.

“Bëhu fytyra ime” ka për qëllim që përmes ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të promovojë qasjen gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Kjo ekspozitë synon luftimin e stigmës dhe paragjykimeve shoqërore karshi viktimave – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

Gjithashtu ekspozita “Bëhu fytyra ime” ka bërë thirrje për mbështetje më të fuqishme brenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë në avancimin dhe në realizimin e të drejtave për të mbijetuarit e dhunës seksuale.