Vonesa e pagave i përcjell aktorët deri në fund të këtij viti

Vonesa e pagave i përcjell aktorët deri në fund të këtij viti

Kultura June 18, 2019 - 10:09

 

Image

Gjendja e mjerueshme financiare që ka vazhduar nëpër teatrot e Kosovës për vite me radhë nuk pritet të ndryshojë shumë deri në vitin 2020. Në prill të këtij viti Komisioni i Granteve në Qeverinë e Kosovës aprovoi kërkesën e teatrove dhe komunave për rregullimin e financimit të teatrove publike të qyteteve të Kosovës për vitin 2020. Drejtuesit e institucioneve teatrore, si dhe përfaqësues nga Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës kanë thënë për “Zërin” se shpresojnë që ky zotim të realizohet dhe që diferenca të bëhet në vitin 2020, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zymberi: Në 2020-n teatrot do të jenë “shtëpi në vete”

Naser Zymberi, përfaqësues sindikal i teatrove të qyteteve, për gazetën “Zëri” ka njoftuar në detaje ecurinë e kësaj nisme. “Ne kemi punuar në dy drejtime, fillimisht kah fundi i 2017-s kemi kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, ku aty paraprakisht më është dhënë pajtimi i drejtorëve të teatrove të qyteteve që të mund t’i përfaqësoj ata dhe interesat e tyre brenda MRKS-së. Unë jam marrë vesh me ministrin qe t’i identifikojmë problemet me të cilat ndeshen teatrot dhe kemi ardhur në përfundim se ligji është një prej problemeve dhe ka paqartësi në definim të statusit edhe financiar, edhe juridik të teatrove dhe linja tjetër ishte problemi i sistemimit në paga të rregullta të stafeve të teatrit dhe kodet buxhetore. Në fillim të 2018-s kemi filluar të punojmë në këto linja. Në punimin e koncept-dokumentit e pastaj edhe të ndryshimit të Ligjit për Teatrot. Kurse tek tash para një jave kemi përfunduar ligjin komplet dhe pritet të dalë në diskutim publik për një javë a dy dhe pastaj do të dërgohet në Qeveri e në Kuvend për miratim”, njofton Zymberi.

Ai thotë se është punuar edhe në linjën tjetër, në drejtim të zgjidhjes financiare sa më të shpejtë të teatrove. Duke u bazuar në këtë është bërë një kërkesë e bazuar në koncept-dokumentin  dhe në vendimin e Qeverisë të në mbledhjeje të Komisionit të Granteve që të hyjë në rend të ditës dhe të miratohet për vitin 2019 e më tutje. “Neve na është miratuar buxheti sipas koncept-dokumentit, por nuk  mundëm të hyjmë në paga në vitin 2019 për shkak të një ngarkese shumë të madhe të buxhetit, që kishin Ministria e Financave me problemet e sindikatave të arsimit e të shëndetësisë. Është një mbledhje që mbahet në Ministrinë e Financave dhe ndahen grantet qeveritare. Sivjet na është ndarë një grant qeveritar për shtimin e numrit të punëtorëve nëpër teatro, sepse deri tani kemi pasur një punëtor, dy e tre me paga të rregullta, por të tjerët kanë qenë me shërbime të veçanta, projekte”, tha Zymberi.

Përfaqësuesi sindikal i teatrove të qyteteve tha se kanë kërkuar kode buxhetore, të cilat janë miratuar. “PCF2” është një lloj kodi buxhetor që është i paraparë për teatrot e qyteteve. Sipas tij, ky kod buxhetor është më i avancuar se “PCF1”-shi dhe është më obligativ për komunat, por edhe me përfitues në kuptimin e pavarësisë financiare për teatrot.

I pyetur se a do të vazhdojnë aktorët me këto parregullsi edhe këtë vit, Zymberaj thotë se  në vitin 2019 do ta punojnë me një buxhet prej Ministrisë dhe komunave, që i është ndarë për këtë vit. “Prej janarit përgatiten konkurset, në momentin e miratimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend përgatiten konkurset për vende shtesë të punës. Unë mendoj që pavarësisht vështirësive që do t’i kenë këtë vit, teatrot normalisht nuk duhet ta harrojnë kurrqysh nismën e ministrit të Kulturës Kujtim Gashit për ndryshimin e Ligjit për Teatrot. Gashi është përkrahja më e madhe që e kemi pasur në këtë drejtim. Nëse nuk kemi arritur të bëjmë zgjidhje për sivjet është me rëndësi që teatrot po stabilizohen edhe financiarisht, edhe juridikisht dhe nuk do ta kenë më problemin as të pagave e as të subvencionimit të shfaqjeve, teatrot do të jenë nga 2020-a ‘shtëpi në vete’”, vlerëson Zymberaj. Sipas tij, komunat obligohen t’i kryejnë obligimet financiare sipas Kodit Buxhetor për Teatrot. Për vitin e parë teatrot kanë grant qeveritar, kurse viteve në vazhdim teatrot mbulohen komplet nga buxhetet komunale.

Zymberaj konsideron se është bërë punë e madhe në këtë aspekt dhe se është kultura, sidomos kultura teatrore, ajo që do të përfitojë më së shumti me këto zgjidhje dhe me këtë ligj.

Hyseni: Politika nuk e ka prioritet financimin e kulturës

Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit të Ferizajt, për gazetën “Zëri” vlerëson se edhe këtë vit punonjësit e institucionit që udhëheq do të sfidohen me parregullsi dhe se sipas tij Ferizaj ka pasur fatin që Drejtoria për Kulturë e Komunës ka ditur të menaxhojë më mirë në ndarjen e subvencioneve në drejtimin e kulturës. Sipas Hysenit, i bie që me këto vështirësi aktorët e teatrove do të ndeshen edhe përgjatë gjithë këtij viti dhe se pa u miratuar buxheti i Kosovës nuk mundet të bëhet asgjë. “Kur të miratohet buxheti ne kemi të drejtë të hapim konkursin që aktorët të punësohen si të rregullt me kontrata të rregullta, edhe atë kjo punë do të vonohet ndoshta deri në mars të vitit 2020, për shkak të  konkurseve, ankesave që mund të mendohen. Për vitin 2020 Teatri do ta ketë kodin buxhetor, mjetet e Teatrit nuk do të kenë të drejtë të shfrytëzohen për gjëra tjera, për arsye se kodi buxhetor është mjaft i mbrojtur në aspektin ligjor. Nuk ka të drejtë madje edhe kryetari i Komunës t’i ridefinojë këto mjete”, tha ai.

Hyseni konsideron se kjo situatë është jashtëzakonisht e mundimshme dhe se njerëzit munden vetëm ta mendojnë këtë, por kur janë brenda njoftohen me gjendjen e vërtetë.  “Veç punëtorët, që jemi një staf i vogël, jashtë punonjësve artistikë kemi mbi 400 orë e më tepër shtesë, të cilat janë edhe të papaguara. Shumica e qytetarëve nuk e njohin problematikën e fushës krijuese dhe kjo ndikon që opinioni të ketë një mendim ndryshe për punën krijuese”, vlerëson ai.

Hyseni thotë se pavarësisht kushteve vullnet për punë ka. Ai thekson se ky teatër numëron katër premiera brenda gjashtë muajve. Sipas tij, kjo është një punë e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh edhe programet tjera që mbahen në Teatër, ngase qyteti ka mbetur pa infrastrukturë të mjaftueshme të hapësirave kulturore. I pyetur se pse është dashur të pritet kaq shumë vjet që të rregullohet statusi i teatrove, Hyseni shprehet se gjithçka është e varur nga politika. “Në fakt nuk kemi një traditë të hierarkisë së vlerave në Kosovë dhe ne nëse nuk ishim organizuar siç jemi organizuar para një viti e gjysmë kishim mbetur pa buxhet deri në vitin 2021, sepse planifikimet buxhetore bëhen për tre vjet. Por që nuk e kanë pasur prioritet”, përfundon kështu i pari i Teatrit të Ferizajt. Zëri