Gjilani nderon Beqir Musliun

Gjilani nderon Beqir Musliun

Kultura June 12, 2019 - 10:11
Lexo më shumë detaje

 

Data 11 qershori shënon ditën e lindjes së Beqir Musliut, të vlerësuarit si emblemë e modernitetit shqiptar në letërsi. Në këtë përvjetor të lindjes së tij, Komuna e Gjilanit e ka nderuar personalitetin e tij duke e çmuar gjithnjë veprën e tij letrare, e cila ende si e plotë nuk u botua. Nderimi i tij këtë vit përkon me 20-vjetorin e çlirimit të qytetit të tij të lindjes, i cili, me inicimin e “Ars Club”-it "Beqir Musliu", nga viti 2004 e këndej, jep edhe çmimin letrar me emrin e tij për vlera të arrira letrare, si dhe për kurorëzim të një veprimtarie të bujshme letrare. Ky çmim u jepet shkrimtarëve, të cilët kanë shënuar arritje të shquara në fushën e letërsisë, në poezi, prozë, dramë.

Laureatë të deritashëm janë Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani e Visar Zhiti dhe shumë emra të tjerë. Më 24 qershor 2011 Kuvendi Komunal pati shpallur shkrimtarin Beqir Musliu “Qytetar Nderi” të Gjilanit.

Musliun në këtë përvjetor e ka kujtuar edhe drejtori i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi. “Sado që poezia zë kryet e vendit, në prozat romanore: ‘Vegullia’ (1979), ‘Mbledhësit e Purpurit’ (1982) e ato të botuara mbas vdekjes së autorit: në ‘Kori i gjelave të vdekur’ (tregime, 2002), në ‘Amullia’, ‘Makthi’, ‘Krupa’, ‘Skërluta e Ndeshtrasha’ (romane, 2004); ose në tetralogjitë dramaturgjike: ‘Shtrigani i Gjel Hanit ‘(1989), ‘Rrakullima’ (1989), Beqir Muzliu shfaq dhe shqipton të njëjtën ndërthurje e nervaturë stilistike të botës së veçantë artistike. Është ajo udha e shenjtë krijuese, ai Rendi i Shenjtë Purpuror, si shprehet me ndërthurjen e tij sistemore metaforike e simbolike vetë krijuesi për pelegrinazhin e tij letrar”, shkruan Erson Zymberi drejtor i Teatrit të Gjilanit.

Beqir Musliu ka bërë analiza e shkrime kritike të thukëta teatrore për veprat dramatike e shfaqjet “Besa” të Sami Frashërit, “Kaligula” të Kamysë, “Hamleti” të Shekspirit”, Udhëtimi i gjatë në natë” të Juxhin O’Nilit, “Kvej Lan” të Perl Bakut, “Dama pa kamelie” të Çehovit, “Revizori” të Gogolit, e të dhjetëra autorëve të tjerë të luajtura në skenat shqiptare, të botuara te “Zëri i rinisë’” dhe te “Fjala”. Nga fusha e teatrologjisë hyjnë edhe analizat e shkrimet për teatrin poetik, ato për teatrot e Prishtinës, të Shkupit dhe për teatrot amatore, për teatrin e komunikimin teatror.

Beqir Musliu u lind në Gjilan, më 11 qershor 1945 dhe vdiq më 24.06.1996.