Libri i javës- “Fillo me pse” nga Simon Sinek

Libri i javës- “Fillo me pse” nga Simon Sinek

Kultura May 27, 2019 - 10:26
Lexo më shumë detaje

 

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Fillo me pse” nga Simon Sinek. Ky libër përpiqet të japë përgjigje për disa pyetje të rëndësishme. Simon Sinek pyet dhe tenton të sqarojë se pse disa njerëz dhe organizata janë më novatorë, më influencues dhe më fitimprurës se të tjerët. Pse disa krijojnë besnikëri më të madhe, si te klientët, ashtu dhe te punonjësit. Madje dhe midis të suksesshmëve, pse disa prej tyre arrijnë të kenë vazhdimisht sukses? Sipas tij, njerëz si Martin Luther King Jr., Steve Jobs, dhe vëllezërit Wright mund të kenë pak gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, por të gjithë e kanë filluar me pse. Aftësia e natyrshme e tyre për të filluar me pse, u mundësoi të frymëzonin njerëzit që i rrethonin, si dhe të arrinin gjëra të jashtëzakonshme.

Ndërsa studionte liderët që kanë pasur ndikimin më të madh në botë, Simon Sinek zbuloi se ata mendojnë, veprojnë dhe komunikojnë në të njëjtën mënyrë dhe kjo është krejt e kundërta e asaj që bën kushdo tjetër. Këtë ide të rëndësishme Sinek e quan “Rrethi i Artë” dhe paraqet një strukturë mbi të cilën mund të ndërtohen organizata, mund të udhëhiqen lëvizje dhe mund të frymëzohen njerëz. Dhe e gjitha fillon me Pse?

Cilado organizatë mund ta shpjegojë se çfarë bën; disa prej tyre mund edhe të shpjegojnë si e bëjnë; por shumë pak mund të artikulojnë me qartësi pse. Pseja nuk ka të bëjë me paratë ose fitimin – këto janë gjithmonë rezultate. Pse ekziston organizata juaj? Pse i bën ato gjëra që bën? Pse klientët blejnë nga një kompani e caktuar? Pse njerëzit janë besnikë ndaj disa liderëve dhe jo ndaj të tjerëve? Sinek thotë se të fillosh me Pse funksionon si me bizneset e mëdha, ashtu dhe me ata të vegjël, si në botën jofitimprurëse, ashtu dhe në politikë. Sipas tij ata që fillojnë me Pse nuk manipulojnë kurrë, vetëm frymëzojnë. Dhe njerëzit i ndjekin jo sepse janë të detyruar, por sepse duan. Duke marrë nga histori të vërteta në fusha të ndryshme, Sinek thur një vizion të qartë të asaj që duhet për të udhëhequr dhe për të frymëzuar. Ky libër është për këdo që do të frymëzojë të tjerët ose këdo që do të gjejë dikë për t’u frymëzuar. Librin mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” dhe ka çmimin 10 euro.