Nisin takimet ndërkombëtare letrare në Pejë

Nisin takimet ndërkombëtare letrare në Pejë

Kultura May 23, 2019 - 09:50
Lexo më shumë detaje

Për të 17-ën herë me radhë po mbahen takimet ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli” në qytetin e Pejës, në datat 23 dhe 24 maj. Në mesin e shumë emrave të autorëve të njohur nga shtete në rajon e në botë, pjesëmarrës në këto takime janë edhe autorët si Antonio Della Rocca, Emanuel Pierrat, Hava Pinhas Cohan, Rafael Newman, Helmuth Nederlie e Sylvster Clancier, nga Italia, Zvicra, Franca, Izraeli e Kroacia. Autorë të njohur nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia do të paraqiten me poezi.

Në sesionin tematik në kuadër të takimeve do të mbahet konferenca shkencore “Lidhja e Pejës”, ku do të referojnë studiuesit Elena Kocaqi e Muhamet Mala. Në sesionin e studimeve letrare promovohet libri i Skënder R. Hoxhës, kurse Anton Nikë Berisha do të promovojë kompletin e librave “Nëna Terezë në shtatë shpalime”, në zhanrin e prozës promovohet romani i Florin Kelmendit “Vrasje në kornizë”, ndërsa përmbledhje me poezi do të promovojnë Erenestina Gjergji-Halili, Adem Gashi, Sali Bashota e Nikolin Gurakuqi.

Gjatë këtyre dy ditëve Shkolla e Arteve do të hapë ekspozitën në Galerinë e Arteve në Pejë. Poetët që do të deklamojnë poezitë e tyre në ceremoninë e hapjes së takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli 2019” në ditën e parë, më datën 23.05.2019, nga ora 10:00, te mulliri “Haxhi Zeka”, janë: Leonisa Ahmeti, Sindi Muharremi, Fatlindë Malushaj, Dea Halimi, Elza Sejdiu, Rrustem Gërgurri, Rea Mula, Donart Rexhbogaj, Genta Komoni, Linda Gjoni, Elza Bojku, Riza Dreshaj, Fatmir Halimi, Ali. M. Lajqi dhe Erlisa Malsori. Kurse autorë të huaj të cilët do të marrin pjesë janë: Antonio Della Rocca, Emanuel Pierrat, Hava Pinhas Cohan, Rafael Newman, Helmuth Nederlie dhe Sylvster Clancier. Dita e dytë e 24 majit, me fillim nga ora gjashtë e mbrëmjes, e gjen Galerinë e Arteve në Pejë me prezantimin e poetëve Shefqete Gosalci, Nagjije Kastrati, Alma Zenellari, Esat Loshaj, Leonora Bruqaj, Rakela Zogaj, Elisabeta Gockaj, Skënder Hoxha, Planeta Sllamniku, Alma Jaku, Sadije Aliti, Vita Kozeti, Remzije Zekolli, Festim Avdyli dhe Nikollë Loka.

Juria do të ndajë çmimin “Azem Shkreli” për kontributin në gjuhën dhe në letërsinë shqipe, i cili këtë vit i ndahet një ndërkombëtari, çmimin ndërkombëtar “Lirikat e Azemit”, “Poezia më e Mirë” për poezinë më të mirë konkurruese, çmimin “Bulëzat” për krijuesit e rinj, si dhe çmimin “Lirisë” dhe “Besa-Besë”, që sivjet ndahen për herë të parë.