Autori i radiodramave të BBC-së Fin Kennedy rikthehet në Kosovë

Autori i radiodramave të BBC-së Fin Kennedy rikthehet në Kosovë

Kultura May 23, 2019 - 09:48
Lexo më shumë detaje

 

“Intent New Theatre” është bashkuar me kompaninë e shpërblyer të teatrit nga Londra “Tamasha” për ta ringjallur dhe për ta zgjeruar dramën e radios në Kosovë. Si pjesë e këtij projekti, “Intent” ka ftuar shkrimtarë dhe entuziastë të teatrit në një udhëtim krijues: një seri hap pas hapi e punëtorive të shkrimit që do të rezultojnë me shfaqjen dhe me prodhimin e radiodramave origjinale dhe themelimin e një festivali të radiodramës. Kësaj thirrjeje i janë përgjigjur 10 autorë me profile të ndryshme: dramaturgë, skenaristë, gazetarë dhe studiuese të çështjeve gjinore.

Seria e parë e punëtorisë ka nisur me dramaturgen Fjolla Hoxha, e cila i ka familjarizuar pjesëmarrësit me projekt dhe u ka ndihmuar atyre që ta zhvillojnë një ide për dramë të shkurtër radioje, e cila do të prodhohet në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Fundjavën që kemi para, seria do të vazhdojë me një seminar dyditor me dramaturgun e vlerësuar me çmime britanike dhe me drejtorin artistik të “Tamasha”-s, Fin Kennedy. Fin ka shkruar dhjetë drama të pasdites për “BBC Radio 4” dhe ka përvojë mbi dhjetëvjeçare të mësimdhënies në të gjitha aspektet e dramaturgjisë për studentët e moshave të ndryshme në Britani të Madhe.

Seminari i Fin "Hyrje në shkrimin e radiodramës” do t’i shqyrtojë mënyrat krijuese për t'i treguar tregimet me zë dhe do t’i prezantojë format e reja të radios, të tilla si podcastet ose audiodramat e shkurtra. Dita e dytë do të përmbajë seanca individuale për ta ndihmuar çdo shkrimtar t’i formojë idetë e tij/saj në një sinopsis. "Jam tejet i lumtur që po kthehem në Kosovë pas vizitës sime të parë në vitin 2016 kur erdha për të hulumtuar mbi radiodramën ‘On Kosovo Field’, të cilën po e shkruaja për BBC-në. Kam qenë shumë i frymëzuar nga vendi dhe nga njerëzit që takova që, pavarësisht sa shumë vështirësi kanë përjetuar, janë të mbushur me një vitalitet dhe optimizëm për të ardhmen e Kosovës. Në vend të marrjes së një tarife nga BBC-ja, unë përdora fondet për të krijuar një buxhet për kompaninë time teatrore ‘Tamasha’ që ta ndërmarrë një bashkëpunim të vazhdueshëm ndërkombëtar me Kosovën, në mënyrë që të përpiqemi ta ringjallim radiodramën si një formë lokale dhe si një mjet për t’i plasuar zërat e gjeneratës së ardhshme të dramaturgëve të Kosovës që të kenë një platformë të vërtetë kombëtare”, është shprehur Fin Kennedy.

Tutje ai ka thënë se puna që shkrimtarja dhe producentja Fjolla Hoxha ka bërë për të rekrutuar një ekip entuziazmues shkrimtarësh, të cilët do ta ndërmarrin këtë sfidë është e mrekullueshme. “Mezi pres që të punoj me ta drejt zhvillimit të ideve të tyre dhe mbledhjes së fondeve për një festival të ri drame në Kosovë. Keni parasysh, diçka po vjen”, ka shtuar ai.

Idetë e rreth gjashtë shkrimtarëve do të përkrahen për zhvillim të mëtejshëm dhe do të konsiderohen për prodhim në Londër dhe në Kosovë midis vjeshtës 2019 dhe verës 2020.

“Intent New Theatre” është organizatë joqeveritare që ka për qëllim zhvillimin e skenës teatrale dhe bashkëpunimin mes artistëve të Teatrit në Kosovë dhe në Britani të Madhe. Deri më sot “Intent” ka iniciuar një sërë punëtorish teatrale për aktorë, dramaturgë, radiodramaturgë dhe u ka ofruar mentorim e lexim skenik në Londër autorëve kosovarë e britanikë të dramës, si: Arijeta Ajeti, Molika Maxhuni, John Retallack, Pericles Snowdon, Jeton Neziraj dhe Fjolla Hoxha.